Kosnett falënderon Kosovën për afganët: Dëshmuat lidership në skenën botërore

Kosnett falënderon Kosovën për afganët: Dëshmuat lidership në skenën botërore

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett, ka falënderuar Kosovën dhe qytetarët e saj për gatishmërinë për t’u ofruar strehë afganëve në udhëtimin e tyre drejt një jete të re, raporton Gazeta Enigma.

Kosnett në një postim në Twitter shkruan se me këtë Kosova dëshmon lidership në skenën botërore.

“Në emër të Shteteve të Bashkuara, falënderimet e mia më të thella për qeverinë dhe popullin e Kosovës për gatishmërinë tuaj për t’u ofruar strehë partnerëve tanë afganë në udhëtimin e tyre drejt një jete të re. Edhe një herë, Kosova demonstron lidership në skenën globale”, shkruan Kosnett në Twitter.

Lidhur me strehimin e afganëve është deklaruar sot edhe kryeministri Albin Kurti.

Ai ka shprehur keqardhjen e tij për situatën e krijuar në Afganistan, duke thënë se shpreson që të ketë sa më pak viktima ditëve në vijim.

Kurti deklaroi se ka një muaj që kanë zhvilluar bisedime me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për strehimin e refugjatëve nga Afganistani në Kosovë.

“Qytetarët kudo në botë jo vetëm që e meritojnë por edhe iu takon demokracia, liritë dhe të drejtat, dhe ne shpresojmë dhe urojmë më të mirën për qytetarët e Afganistanit. Në anën tjetër, ka një muaj që Qeveria e Kosovës është në kontakt me SHBA-në, për të përgatitur në aspektin organizativ, strehimin dhe mbrojtjen e një numri refugjatëve të Afganistanit. Ne jemi shtet serioz, këtë punë e kemi bërë pa zhurmë dhe më shumë suksese, pasi çështja e tyre është e dhimbshme dhe ndjeshme e sigurisë”, deklaroi Kurti. 

Related Articles