Ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Philip Kosnett, thotë se Kosova ka detyrim ta formojë Asociacionin e Komunave Serbe.
Kosnett në një intervistë për Radio Kontakt Plus, ka shtuar se historia nuk ka filluar me Qeverinë Kurti.
“SHBA-ja beson se Kosova ka një detyrim për të formuar Asociacionin e Komunave Serbe. Historia nuk ka filluar në ditën kur u formua Qeveria e Albin Kurtit dhe ne besojmë se vendet kanë një detyrim të respektojnë marrëveshjet dhe detyrimet e ndërmarra më parë”, ka thënë Kosnett.
Kosnett vlerëson se nuk ka shumë hapësirë për të ecur para, nëse dyja palët nuk shprehin gatishmërinë për kompromis.
“Diplomatët duhet të jenë optimistë, përndryshe do të merreshim me një profesion tjetër. Unë mendoj se është në interes të madh të njerëzve të dyja vendeve që të jenë në gjendje të ecin para sa më shpejtë që të jetë e mundur. Sigurisht është nevoja të zhvillohen negociatat serioze. Kryeministri Kurti ka thënë shumë në lidhje me dëshirën për t’u përgatitur siç duhet për negociatat. Ne besojmë se është e rëndësishme që njerëzit të jenë të përgatitur për bisedime serioze, por edhe të ecin para me një sens urgjence”, ka thënë Kosnett.