Ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, i është përgjigjur Bashkimit Evropian me tri qartësime sa i përket aksionit të Policisë së Kosovës në mbylljen e strukturave paralele në disa rajone të mërkurën, i cili u bë pa koordinim me Prokurorinë e Shtetit.
Ambasadori Bajrami ka thënë se ato struktura ishin ilegale të drejtuara nga Serbia, se s’ka marrëveshje mbi ato dhe që aksioni nuk nxiti tensione.
“Sa për sqarim. Nuk ka struktura të mbështetura nga Serbia në Kosovë: këto ishin struktura të paligjshme të udhëhequra nga Serbia. Nuk ka marrëveshje për negocim të së ardhmes së këtyre strukturave. Operacioni i sotëm i Policisë së Kosovës nuk shkaktoi incidente”, ka shkruar Bajrami në “X”.
For clarification:
• There are no Serbia supported structures in Kosova; these were Serbia-run illegal structures
• There’s no agreement stipulating negotiations over future of these structures
• Today’s Kosova Police operation didn’t cause any tensionshttps://t.co/EcUq8f4qvB— Agron Bajrami (@AgronBajrami) January 15, 2025
Bashkimi Evropian ka kritikuar Kosovën për shkak të mbylljes së strukturave paralele, pasi siç ka thënë, mbyllja e strukturave “të mbështetura nga Serbia” bie ndesh me detyrimet e saj ndaj BE-së.
Në reagimin e BE-së u tha se përderisa konkluzionet janë se BE-ja do të heqë gradualisht masat paralel me hapat e Kosovës për depërshkallëzim të tensioneve në veri, “këto veprime nuk janë të favorshme për këtë qëllim”.
BE-ja ka thënë tutje se statusi i strukturave të mbështetura nga Serbia parashikohet të zgjidhet përmes dialogut.
Policia e Kosovës të mërkurën ka mbyllur komunat paralele serbe në Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë-Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec, Skenderaj si dhe posta e zyra tatimore ilegale.