Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se do të fillojë dërgimin e ndihmave humanitare për popullin ukrainas, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës që ndau 100 mijë euro për blerjen e kontingjentit të parë.
Dërgimin e ndihmave do ta realizojë përmes Shoqatës Humanitare Bamirëse “Nënë Tereza”, e cila do të bëjë përgatitjen e pakos humanitare me produkte esenciale nga Republika e Kosovës dhe më pas me partnerët e saj ndërkombëtarë të shpërndajë këto ndihma në shtetet ku refugjatët ukrainas janë duke u strehuar.
Pakoja humanitare do të përmbajë produkte esenciale që përfshijnë higjienën dhe kujdesin personal, akomodim dhe ushqime.
Blerja, paketimi vendosja e shenjave dalluese të Republikës së Kosovës dhe nisja e pakove humanitare do të bëhet brenda 20 ditëve në vijim.
Marrëveshja është nënshkruar nga zëvendëssekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Behar Isma dhe drejtori i Shoqatës “Nënë Tereza”, Zef Shala.