Kosova ende nuk i ka dhënë “dritën jeshile” vaksinimit të fëmijëve

Kosova ende nuk i ka dhënë “dritën jeshile” vaksinimit të fëmijëve

Ministria e Shëndetësisë, përmes një vendimi të marrë gjatë muajit gusht të këtij viti, ka vendosur që edhe fëmijët mbi moshën 12 vjeçare të përfshihen në planin operativ për vaksinim, shkruan Gazeta “Enigma”.

Ndonëse në njoftimin e dhënë për media, nga Ministri i Shëndetësisë, i asaj kohe Arben Vitia, nuk janë dhënë shumë detaje, aty theksohej se ky rekomandim është dhënë nga trupa profesionale kompetente-Komiteti për imunizim kundër COVID-19.

Ministria e Shëndetësisë së Kosovës

“Duke marrë parasysh që vaksina Pfizer BioN/Tech është aprovuar nga FDA dhe EMA për vaksinimin e moshave mbi 12 vjeç, plotësimi i planit përfshin:Vaksinimin e personave mbi 16 vjeç me vaksinën Pfizer dhe vaksinimin e grup moshës 12-15 vjeç me prioritet dhe sipas indikacioneve shëndetësore”, thuhet në njoftim.

Për këtë vendim, Gazeta “Enigma”, ka kontaktuar Ministrinë e Shëndetësisë, e cila në një përgjigje me shkrim në atë kohë ka thënë se vaksinimi i fëmijëve nga mosha 12 deri 15 vjeç do të bëhet me vaksinën Pfizer.

“Me vaksinen Pfizer, do të bëhet edhe vaksinimi i grup moshës 12-15 vjeç me prioritet sipas indikacioneve shëndetësore”, kanë thënë nga Ministria e Shëndetësisë.

Mirëpo një gjë e till ende nuk ka filluar që të zbatohet, pra Ministria e Shëndetësisë e Qeverisë së Kosovës ende nuk ka dhënë dritën e gjelbër për vaksinimin e personave të moshës 12 deri 15 vjeç kundër koronavirusit

Ku sipas tyre kjo mundësi është duke u shqyrtuar, por një vendim i tillë do të merret në “momentin e duhur”.

Pra nga muaji gusht, Qeveria e Kosovës ka lejuar imunizimin kundër koronavirusit edhe për personat mbi 16 vjeç, ndërsa për grupmoshën 12-15 vjeç, vaksinimi bëhet me prioritet dhe sipas indikacioneve shëndetësore.

Administrata Amerikane për Ushqim dhe Ilaçe në muajin maj të këtij viti, ka autorizuar përdorimin e vaksinës kundër koronavirusit të prodhuar nga Pfizer/BioNTech për fëmijët e moshave 12-15 vjeç.

Kryetari i Shoqatës së Infektologëve të Kosovës, Hamdi Ramadani

Infektologët: Për t’u vaksinuar nuk duhet të ketë hezitim

Kryetari i Shoqatës së Infektologëve të Kosovës, Hamdi Ramadani në një përgjigje për Gazetën Enigma ka thënë se edhe vaksinimi i fëmijëve mbi moshën 12 vjeç duhet të filloj edhe në Kosovë sikurse në vendet tjera të rajonit dhe botës.

“Gjithqysh duhet që edhe fëmijët e kësaj moshe të vaksinohen pasi që vaksina Pfizer BioN/Tech është aprovuar nga FDA dhe EMA për vaksinimin e moshave mbi 12 vjeç”, ka thënë ai.

Njëherit, Ramadani “Bënë thirrje që vazhdoj vaksinimi si i të rrituarve ashtu edhe për këtë grup moshe të jepet drita jeshile që të filloj vaksinimi edhe për fëmijët”.

Infektologu, Xhevat Demiri

Infektologu, Xhavat Demiri, ka folur për Gazetën Enigma lidhur me çështjen e vaksinimit të fëmijëve kundër COVID-19.

“Vendimi ka qenë edhe i OBSH-së, që edhe femijet mbi 12 vjeç të vaksionohen”,ka thënë Demiri.

Njëherit, Demiri ka bërë thirrje për të gjithë ata fëmijë që vaksinohen ti ndjekin rregullat paraprakisht.

“Një nga rregullat e vaksinimit të kësaj moshe është që fëmijët së pari duhet të vizitohen tek pediatri e më pas edhe të vaksinohen”, tha Demiri për Enigmën.

Infektologu, Demiri krejt në fund tha se tani për tani vaksinimi është mjeti më i sigurt kundër COVID-19.

Prindërit për vaksinimin e fëmijëve mbi moshën 12 vjaçare

Emine Emini, qytetare nga Gjilani, është kundër vaksinimit të fëmijëve edhe pse për vete e ka kryer vaksinimin.

“Vaksinimi tek fëmijët duhet të kryhet vetëm nëse bëhet obligative, përndryshe jam kundër vaksinimit në përgjithësi e sidomos tek moshat e reja”, ka thënë Emini për Enigmën.

Ndërsa tjetër mendim ka Albulena Hoti, qytetare nga Prishtina, nënë e dy vajzave të kësaj moshe është pro vaksinimit të fëmijëve.

“Pasi nuk ka opsion tjetër për mbrojte nga COVID-19, duhet me patjetër që të vaksinohen të gjithë, qoft edhe fëmijët e kësaj moshe apo edhe më të vegjël se 12 vjeç, që mos të kemi raste të reja të papërballueshme dhe me pasoja fatale”, ka thënë Hoti për Enigmën.

Vaksinimi i fëmijëve në vendet e rajonit dhe të botës

Vaksinimi i adoleshentëve tashmë ka filluar në disa nga vendet e rajonit dhe në botë. Maqedonia e Veriut dhe Serbia, kanë nisur vaksinimin e fëmijëve nga mosha 12 vjeç e tutje.

Edhe shumë shtete në botë dhe Evropë kanë filluar përdorimin e vaksinës te fëmijët 12 vjeç e lartë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Gjermania, Italia Irlanda, Polonia, Franca, Zvicra dhe Suedia Veriut janë disa nga shtetet ku bëhet vaksinimi te fëmijët.

Në Kosovë nga muaji mars i vitit 2021, kur ka filluar procesi i imunizimit, deri më tani, janë dhënë mbi 1.5 milionë doza të vaksinës.

Prej tyre, mbi 720 mijë qytetarë janë vaksinuar me të dyja dozat kundër koronavirusit. Imunizimi bëhet për të gjithë personat mbi moshën 16 vjeç.

Por, javët e fundit në Kosovë është ulur numri i personave të infektuar me koronavirus dhe në të njëjtën periudhë ka rënë edhe interesimi i qytetarëve për vaksinim kundër COVID-19. Nga 20 mijë vaksina sa janë dhënë brenda një dite muajin e kaluar, në ditët e fundit ky numër ka rënë në rreth 7,000.

Në një postim në rrjetin social Facebook, thuhet se situata epidemiologjike, relativisht e qetë nuk përbën arsye që qytetarët që kanë marrë dozë e parë të vaksinës ta vonojnë marrjen e dozës së dytë, sepse kjo e pamundëson arritjen e mbrojtjes efikase dhe imunitetit të plotë.

Vaksinimi vazhdon të jetë mënyra më e lehtë, më e sigurt dhe më efikase për t’u mbrojtur nga COVID-19./Gazeta Enigma/

Related Articles