Federata e Futbollit e Kosovës, e ka aranzhuar një ndeshje miqësore me Armeninë.
Kjo ndeshje është vendosur që të zhvillohet më 6 qershor 2025 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Për lajmin ka njoftuar FFK-ja përmes një postimi.
“Kjo përballje do t’i shërbejë përzgjedhësit Franco Foda për të testuar dhe përgatitur ekipin për ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës 2026, që do të nisin në shtator, e ku Kosova bën pjesë në grup shumë të fortë me Suedinë, Zvicrën dhe Slloveninë:, thuhet në njoftim.
Para miqësores, “Dardanët” do të kenë dy sfida vendimtare gjatë këtij muaji ndaj Islandës, në kuadër të ‘play-off’-it të Ligës së Kombeve, e ku synojnë promovimin në Ligën B.
Ndeshja e parë zhvillohet më 20 mars, në orën 20:45 në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, derisa ndeshja e dytë më 23 mars, në qytetin spanjoll Mursia. /Gazeta Enigma