Kosova ka pranuar të mërkurën kontejnerët “me mijëra dronë” luftarakë kamikazë, Skydagger, njoftoi kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Kurti tha në Facebook se dronët kanë mbërritur para afatit të paparaparë kohor dhe se dhjetëra ushtarakë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) tashmë janë trajnuar për përdorimin e tyre.
Kosova nënshkroi kontratën në dhjetor të vitit të kaluar me kompaninë e mirënjohur turke Baykar, që është kompani amë e prodhuesit Skydager, tregoi Kurti.
“Dronët Skydagger ishte planifikuar të mbërrijnë në janar 2026, por i morëm tre muaj më herët”, tha ai.
“Këta dronë kamikazë të njohur edhe si FpV të tipit RTF (Ready to Fly) Skydagger të prokuruar nga ne janë dronë luftarakë të pajisur me mjete shpërthyese me qëllim goditjen e objektivave lëvizëse dhe statike të armikut”, shkroi Kurti.
Kurti tha se, me blerjen e këtyre dronëve, Kosova po vazhdon “ta ngrejë dhe shtojë fuqinë goditëse të ushtrisë sonë me qëllim ndërtimin e një force të aftë dhe koherente me zhvillimet e reja teknologjike dhe taktikat e luftës bashkëkohore”.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e ka kritikuar Turqinë, duke thënë se është i tmerruar nga sjellja e këtij vendi dhe ka konsideruar se ai e ka shkelur Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
“Tani është plotësisht e qartë se Turqia nuk dëshiron stabilitet në Ballkanin Perëndimor dhe është duke ëndërruar sërish për ringjallje të Perandorisë Osmane. Serbia është shtet i vogël, por ne i kuptojmë synimet e tyre reale”, ka thënë presidenti serb përmes një postimi në X – dikur Twitter.
Skydagger RTF është dron “i gatshëm për fluturim”, shpesh edhe dron luftarak, i pajisur me një mjet shpërthyes për përdorim kundër shënjestrave të palëvizshme dhe të lëvizshme, megjithëse ka edhe aplikime profesionale si vëzhgimi dhe kërkim-shpëtimi.
RTF nënkupton se droni është plotësisht i montuar dhe përfshin të gjitha komponentët e nevojshëm, si vetë droni, një transmetues radioje, një marrës dhe bateritë, duke e bërë atë të gatshëm menjëherë për fluturim sapo të blihet.
Ky dron mund të fluturojë me një shpejtësi maksimale prej 130kmh në largësi maksimale deri në 10 kilometra.
Forca e Sigurisë së Kosovës, aktualisht, është në proces të transformimit në ushtri.
Ky proces filloi në vitin 2018, pas miratimit të ndryshimeve ligjore, dhe pritet të zgjasë dhjetë vjet.