Kosova pritet të dërgojë në Ukrainë ekspertë të forenzikës

Kosova pritet të dërgojë në Ukrainë ekspertë të forenzikës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të mërkurën janë takuar me ekspertët e Institutit të Mjekësisë Ligjore, dhe ata të ngarkuar me çështjet e ADN-së pranë Agjencisë Kosovare për Forenzikë.

Siç njoftohet, gjatë takimit u diskutua mundësia e angazhimit të ndonjërit nga ekspertët kosovarë të forenzikës në territorin e Ukrainës.

Kjo sipas Qeverisë, si ndihmë e Republikës së Kosovës për shtetin që ka dy muaj që është nën sulmet e ashpra ushtarake të Federatës Ruse.

“Ditëve në vijim do të intensifikohet komunikimi ndërmjet Qeverisë dhe ekspertëve të forenzikës rreth kësa forme të ndihmës për Ukrainën”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, me 3 mars, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar rezolutën, me të cilën e dënon agresionin ushtarak dhe invazionin e Federates Ruse mbi Ukrainën dhe popullin e saj.

Më 24 shkurt, forcat ushtarake të Federatës Ruse kanë nisur pushtimin e Ukrainës. Perëndimi i ka dënuar ashpër veprimet e Rusisë, duke i cilësuar si shkelje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.

Po ashtu, Rusisë i janë vendosur një sërë sanksionesh nga shtetet perëndimore.

Sanksione ndaj Rusisë më 25 shkurt ka vendosur edhe Kosova.

Related Articles