Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se Kosova është ftuar në Samitin e Demokracisë, raporton Gazeta Enigma.
Osmani përmes një shkrimi në Facebook ka falenderuar presidentin e SHBA-së, Joe Biden, për ftesën si dhe për partneritetin e ofruar nga Kosova për të punuar drejt fuqizimit të shoqërisë demokratike.
“Pas takimeve produktive të javës së shkuar në Washington, në të cilat jam njoftuar se Kosova do të jetë pjesë e këtij Samiti, jam e nderuar ta pranoj ftesën nga Presidenti Biden”, ka shkruar Osmani.
Ndryshe, disa ditë më parë është raportuar se Kosova nuk do të ftohet për pjesëmarrje në Samitin e Demokracisë, derisa edhe Ambasada Amerikane ka treguar arsyet e mosftesës.
Nga Zyra për Medie e ambasadës kanë deklaruar se “Jo të gjithë partnerët mund të përfshiheshin në këtë iniciativë”.
“Samiti i Presidentit për Demokraci është një nga iniciativat e shumta të SHBA-ve të fokusuara në avancimin e demokracisë, luftimin e korrupsionit dhe promovimin e respektimit të të drejtave të njeriut në mbarë globin”, thuhet në përgjigjen e ambasadës amerikane.