Rrugëtimi i Denisës, 29 vjeçare që ka nisur nga Kosova fillimisht, e pas punës së palodhshme e vullneti të saj e ka çuar atë në njërën prej shkollave më prestigjioze të dizajnit në botë – New York School of Interior Design (NYSID).
Denisa Shahini, e cila vjen nga qyteti i Gjilanit, ka shkuar përtej kufijve të mundësive për të realizuar një ëndërr të kamotshme të saj, e cila u bë realitet pas një pune e përkushtimi të pashtershëm.
Aktualisht, ajo ndjek studimet për Master në Interior Design, një program i nivelit të lartë që bashkon kërkimin akademik me përgatitjen profesionale, duke i dhënë mundësinë të zhvillojë një qasje të thelluar si në aspektin teknik, ashtu edhe në atë konceptual të dizajnit të brendshëm.
Për të, lajmi se ishte pranuar në një institucion kaq të njohur ishte një moment emocionues. “Marrja e Emailit të pranimit ishte një konfirmim i punës sime të palodhur,” thotë ajo, duke shtuar se ky program është një mundësi e jashtëzakonshme për të, për vazhduar zhvillimin profesional në një mjedis që vlerëson inovacionin dhe ekselencën.
Si e vetmja kosovare në NYSID, Denisa thotë se mbi supe e ka barrën e përfaqësimit të vendlindjes së saj, Kosovës.
“Të përfaqësosh Kosovën në një ambient akademik kaq prestigjioz më motivon që të punoj me përkushtim dhe të sjell në pah kreativitetin tim në një industri shumë konkurruese,” thotë ajo për Gazetën Enigma.
Megjithatë, largimi nga vendlindja ka sjellë edhe një dimension emocional të sfidave, por gjithashtu i ka dhënë mundësinë të integrojë trashëgiminë dhe identitetin e saj kulturor në punën që bën.
“Përmes dizajnit tim, përpiqem të tregoj histori që reflektojnë vlerat dhe fuqinë e Kosovës,” potencoi Shahini.
Përballë një ngarkese të madhe pune dhe konkurrencës ndërkombëtare, ajo ka mësuar të zhvillojë një disiplinë të fortë dhe një qasje strategjike ndaj dizajnit.
Sfidat që ka kaluar gjatë rrugëtimit akademik e kanë ndihmuar të rritet si profesioniste, duke e përgatitur atë për një treg global të dizajnit, dhe gjithashtu e kanë ndihmuar të ndjekë ëndrrën e saj për të krijuar hapësira që frymëzojnë dhe nxisin ndjeshmëri.
Ajo është e vendosur të fitojë sa më shumë eksperiencë profesionale në New York, por qëllimi i saj afatgjatë është të kthehet një ditë në Kosovë dhe të sjellë ekspertizën e saj ndërkombëtare për të kontribuar në zhvillimin e vendit të saj.
“Kosova ka potencial të madh për zhvillim në çdo fushë, dhe angazhimi i të rinjve është çelësi i përparimit tonë,” thotë ajo, duke shtuar se çdo sfidë është një mundësi për rritje dhe progres.
Për të rinjtë kosovarë që janë duke kërkuar mundësi për të studiuar dhe punuar jashtë vendit, ajo ka një mesazh të fortë:
“Ndryshimi nuk vjen duke ikur, por duke ndërtuar dhe investuar në të ardhmen e Kosovës.”
Intervista e plotë:
GAZETA ENIGMA: Çfarë studioni dhe në cilin universitet?
DENISA SHAHINI: Aktualisht po ndjek studimet për Master – Interior Design ne nivel post profesionale në New York School of Interior Design (NYSID)—një nga institucionet më prestigjioze në këtë fushë. Ky program është shumë i specializuar dhe kombinon kërkimin akademik me përgatitjen profesionale, duke më ndihmuar të zhvilloj një qasje të thelluar si në aspektin teknik, ashtu edhe në atë konceptual të arkitekturës dhe dizajnit të brendshëm.
GAZETA ENIGMA: Si e morët lajmin se jeni pranuar në këtë universitet prestigjioz?
DENISHA SHAHINI: Duke marrë parasysh kriteret e larta të pranimit dhe konkurrencën e madhe për këtë program, marrja e Emailit të pranimit ishte një moment emocionues dhe i paharrueshëm. Ishte një konfirmim i punës sime të palodhur dhe një mundësi e jashtëzakonshme për të vazhduar zhvillimin tim profesional në një mjedis që vlerëson inovacionin dhe ekselencën në dizajn. Të studiosh në New York, në një qendër botërore të artit dhe dizajnit, është një sfidë dhe një privilegj i madh.
GAZETA ENIGMA: Çfarë ndjenje është të jesh e vetmja kosovare në këtë universitet?
DENISA SHAHINI: Është një ndjenjë unike, krenari dhe sfiduese. Të përfaqësosh Kosovën në një ambient akademik kaq prestigjioz më motivon që të punoj me përkushtim dhe të sjell në pah kreativitetin tim në një industri shumë konkurruese. Në të njëjtën kohë, të qenit larg vendit dhe kulturës së lindjes është një sfidë emocionale, por kjo më shtyn të gjej mënyra për ta përfshirë trashëgiminë dhe identitetin tim kulturor në punën time. Përmes dizajnit tim, përpiqem të tregoj histori që reflektojnë vlerat dhe fuqinë e Kosovës.
GAZETA ENIGMA: Me çfarë sfidash jeni ballafaquar gjatë rrugëtimit tuaj akademik?
DENISA SHAHINI: Një nga sfidat më të mëdha ka qenë përshtatja me sistemin akademik, i cili kërkon një nivel të lartë të mendimit kritik, inovacionit dhe të prezantimit të ideve në mënyrë profesionale. Ngarkesa e madhe e punës, afatet e shkurtra dhe konkurrenca me studentë nga e gjithë bota më kanë shtyrë të zhvilloj një disiplinë të fortë dhe një qasje më strategjike ndaj dizajnit. Megjithatë, besoj se sfidat e këtij lloji janë ato që më ndihmojnë të rritem si profesioniste dhe të përgatitem për tregun global.
GAZETA ENIGMA: A ka pasur ndonjë moment kur keni folur për Kosovën para studentëve të tjerë?
Po, në çdo paraqitje apo mundësi të mundshme përpiqem të prezantoj Kosovën, qoftë përmes historisë, kulturës apo realitetit të saj aktual. Kam pasur raste kur kam shpjeguar te kaluarën e vështirë të vendit tonë, por gjithashtu kam theksuar që Kosova është një shembull i forcës dhe rezistencës. Ne jemi një popull që gjithmonë kemi gjetur rrugën për të vazhduar përpara, dhe këtë e reflektoj edhe në punën time si dizajnere, duke krijuar hapësira që frymëzojnë dhe nxisin ndjeshmëri.
GAZETA ENIGMA: A planifikoni të ktheheni në Kosovë pas përfundimit të programit apo do të vazhdoni në New York?
DENISA SHAHINI: Aktualisht, fokusi im kryesor është të fitoj sa më shumë eksperiencë profesionale dhe njohuri në New York, duke qenë se është një nga qendrat kryesore të dizajnit. Interior Design është një fushë ku ekspozimi ndërkombëtar është i domosdoshëm për të ndërtuar një vizion të gjerë dhe për të sjellë një qasje inovative. Megjithatë, nuk e shoh këtë si një ndarje mes Kosovës dhe Nju Jorkut, por si një mundësi për të sjellë eksperiencën time ndërkombëtare në projekte që mund të kontribuojnë në zhvillimin e vendit tim në të ardhmen.
GAZETA ENIGMA: Të studiosh mijëra kilometra larg vendlindjes, a ka qenë vendim i vështirë për ju? A do ta ribënit sërish?
DENISA SHAHINI: Ishte një vendim i madh, por aspak i rastësishëm. Duke ardhur nga një familje me një histori të gjatë në fushën e dizajnit dhe prodhimit të mobiljeve (Palma Mobilje), gjithmonë kam qenë e lidhur me këtë profesion. Që nga studimet bachelor kam qenë e përfshirë aktivisht në biznesin familjar dhe ideja për të vazhduar më tej në një shkollë të nivelit më të lartë ishte një hap i natyrshëm për mua. Pa asnjë hezitim, do ta merrja të njëjtin vendim sërish, me ambicien që një ditë të shoh Palma Mobilje si një markë me ndikim ndërkombëtar.
GAZETA ENIGMA: Çfarë mesazhi keni për të rinjtë kosovarë që çdo ditë e më shumë po e lëshojnë vendin?
DENISA SHAHINI: Qëllimi im për studime ndërkombëtare nuk ka qenë për të lënë Kosovën, por për të përfaqësuar atë në një nivel global. Kosova si një shtet i ri ka potencial të madh për zhvillim në çdo fushë dhe përparimi ynë varet nga angazhimi i të rinjve. Është e rëndësishme të kërkojmë mundësi për të mësuar dhe për të avancuar profesionalisht, por njëkohësisht të mendojmë se si mund ta kthejmë atë eksperiencë në dobi të vendit tonë. Çdo sfidë është një mundësi për rritje dhe progres, dhe ndryshimi nuk vjen duke ikur, por duke ndërtuar e investuar në të ardhmen e Kosovës. /GAZETAENIGMA/