Asambleja Parlamentare e NATO-s të dielën e 24 marsit vendosi që Kosova nga vëzhguese parlamentare të bëhet anëtare e asociuar.
“Në vendime të tjera të rëndësishme, Komisioni i Përhershëm ka vendosur që Kuvendi i Kosovës nga vëzhgues parlamentar të bëhet anëtar i asociuar”, thuhet në deklaratën e AP-së së NATO-s.
Lajmi se Kosova u bë pjesë e AP-së së Aleancës Veri-Atlantike e bëri të ditur të dielën Driton Hyseni, kryesues i Delegacionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës në këtë asamble.
Ai tha se ky është niveli më i lartë i prezencës në Asamble deri në anëtarësim të plotë të Kosovës në aleancën ushtarake.
Por, çka është Asambleja Parlamentare?
Asambleja Parlamentare e NATO-s shërben si organizatë ndërparlamentare konsultative për Aleancën e Atlantikut të Veriut.
Ajo është institucionalisht e ndarë dhe e pavarur nga NATO.
Komisioni i Përhershëm është organi drejtues i Kuvendit, i përbërë nga kryesuesi i çdo delegacioni anëtar, Presidenti, Zëvendëskryetarët, Thesarari dhe Kryetarët e Komisioneve të Kuvendit dhe të Grupit Special të Mesdheut dhe Lindjes së Mesme.