KPK shkarkon Besim Kelmendin, reagon BE: Minon progresin e Kosovës në rrugën evropiane

KPK shkarkon Besim Kelmendin, reagon BE: Minon progresin e Kosovës në rrugën evropiane

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka shkarkuar sot Besim Kelmendin nga detyra e Ushtruesit të Kryeprokurorit të Shtetit, në një mbledhje ku ishin të pranishëm vetëm pesë anëtarë. Vendimi erdhi pas kërkesës së zëvendëskryesueses së KPK-së, Jehona Gërvalla-Grantolli, e cila propozoi që shkarkimi i Kelmendit të futet në rend dite, duke përmendur edhe intervistimin e tij të fundit si dëshmitar për masakrën e Reçakut.

Ky veprim ka shkaktuar reagime të forta brenda dhe jashtë vendit. Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka dalë me një deklaratë të qartë dhe kritike ndaj KPK-së, duke e cilësuar vendimin si të dëmshëm për sundimin e ligjit dhe proceset reformuese në sistemin prokurorial.

“Sot, shkarkimi i ushtruesit të Kryeprokurorit të Shtetit nga Këshilli Prokurorial i Kosovës pengon reformën e nevojshme dhe të vazhdueshme të KPK-së dhe shpërfill parimet e shtetit të së drejtës dhe përgjegjësinë ndaj qytetarëve. Ky veprim gjithashtu minon progresin e Kosovës drejt rrugës së saj evropiane”, thuhet në reagimin e Zyrës së BE-së në Kosovë.

Ndërkohë, vendimi ka hapur debat për legjitimitetin e tij, pasi u mor me vetëm pesë anëtarë të pranishëm, në kohën kur Këshilli pritet të kalojë përmes procesit të reformimit dhe ristrukturimit.

Shkarkimi i Kelmendit pritet të ngrejë më tej tensionet rreth funksionimit të KPK-së dhe pavarësisë së sistemit të drejtësisë në vend.

Related Articles