KQZ: Gjithë kandidatët për deputetë do t’i nënshtrohen verifikimit nga disa insitucione

KQZ: Gjithë kandidatët për deputetë do t’i nënshtrohen verifikimit nga disa insitucione

Të gjithë kandidatët që duan të marrin pjesë në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, që do të mbahen më 9 shkurt 2025, do t’i nënshtrohen verifikimit të institucioneve të ndryshme.

Me anë të verifikimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), do të vërtetojë nëse kandidatët që garojnë për deputetë janë në përputhje me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe nenin 30 të tij.

Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi thotë se deri më 11 dhjetor të këtij viti, subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) duhet të dorëzojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkesat e tyre për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet

“Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe, subjektet politike duhet të dorëzojnë edhe listat e tyre të kaniddatëve për deputetë”.

Sipas Elezit, verifikimi i përshtatshmërisë apo aftësisë së kandidatëve për t’u certifikuar për pjesëmarrje/kandidim në zgjedhje, është një kërkesë që buron nga neni 30 i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

“Sipas këtij ligji, institucionet kompetente me kërkesë të KQZ-së, bëjnë verifikimet e nevojshme që kërkohen. Me qëllim të zbatimit të këtij neni, KQZ, përmes Zyrës për Regjistirim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar, do t’iu dërgojë shkresë disa institucioneve për të vërtetuar nëse ndonjëri nga kandidatët nuk mund të certifikohet si kandidat për pjesëmarrje në zgjedhje”.

Me qëllim të verifikimit të kandidatëve që duan të certifikohen për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvedin e Kosovës, që do të mbahen më 9 shkurt 2025, sipas Elezit KQZ-ja do t’i drejtohet institucioneve të ndryshme, siç janë: Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Ministria e Punëve të Brendshme dhe institucioneve tjera varësisht natyrës së verifikimit.

“Këshilli Gjyqësor i Kosovës është njëri prej institucioneve që KQZ-ja do të kërkojë verifikim të kandidatëve. Në nenin 30, theksohet se kandidat nuk mund të jetë një person nëse “është dënuar në 3 vitet e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv. Prandaj, me qëllim të zbatimit të këtij përcaktimi ligjor, do të kërkojmë nga KGjK-ja që të verifikojë listën e kandidatëve nëse ndonjëri prej tyre nuk është në përputhje me këtë kufizim të ligjor”

Related Articles