KQZ në pritje të caktimit të datës së zgjedhjeve të parakohshme

KQZ në pritje të caktimit të datës së zgjedhjeve të parakohshme

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në pritje të vendimit për caktimin zyrtar të datës për mbajtjen e zgjedhjeve të radhës, pas dështimit të Kuvendit për të zgjedhur presidentin/en e vendit.

Të hënën, më 28.04.2026, skadoi afati kushtetues për zgjedhjen presidentit duke bërë që të shpërndahet Kuvendi dhe vendi të shkojë në zgjedhe të parakohshme.

Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ ka thënë se meqenëse këto janë zgjedhje të parakohshme, organizimi i tyre bëhet me afate të shkurtra kohore.

Andaj sipas Elezit, një nga vendimet e para të KQZ-së për këtë proces zgjedhor do të jetë ndryshimi i afateve kohore të aktiviteteve zgjedhore apo përshtatja e tyre, siç ka thënë ai sipas nevojës dhe në pajtim me rrethanat.

Elezi ka thënë se Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme ia jep të drejtën KQZ-së që afatet kohore të aktiviteteve zgjedhore të përshtaten me ditët në dispozicion të KQZ-së për organizimin e këtyre zgjedhjeve.

Me planin e aktiviteteve, ka shtuar ai, KQZ rregullon çështjet mbi të cilat ndërtohet i gjithë procesi zgjedhor dhe që kanë të bëjnë me votuesit, subjektet politike dhe vëzhguesit.

“Pra, këtu përcaktohen afati për partitë politike për të formuar koalicione dhe deklaruar mospjesëmarrjen në zgjedhje; afatin për subjektet politike për t’u certifikuar e për të dorëzuar listën e kanidatëve për deputetë; dhe periudhën e fushatës zgjedhore. Po ashtu, me anë të këtij plani, KQZ cakton edhe kohën për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës, votimin përmes postës dhe në përfaqësi diplomatike, si dhe regjistrimin e votuesve me nevoja të veçanta”- ka thënë Elezi.

Pjesë e këtij plani, sipas tij, është edhe vendosja e afateve për akreditimin e vëzhguesve dhe mediave.

Elezi ka thënë se pas caktimit të datës, KQZ do të miratojë planifikimin e buxhetit të nevojshëm për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

“Viti 2026 nuk është një vit zgjedhor dhe kjo do të thotë se në buxhetin vjetor të KQZ-së të ndarë me ligjin e buxhetit, nuk ka mjete të planifikuara për zgjedhje të parakohshme. Në rrethana të tilla, ashtu siç është vepruar në të kaluarën, KQZ i drejtohet Qeverisë së Kosovës me kërkesë për mjetet që janë të nevojshme për mbulimin e shpenzimeve”- ka thënë ai.

Buxheti i planifikuar nga KQZ për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat u mbajtën më 28 dhjetor (2025), sipas Elezit ishte në vlerën e 11.5 milionë eurove. Ndërkaq, ka thënë ai,  sipas raporteve të deritashme, jopërfundimtare, shuma e shpenzuar është rreth 7.4 milionë euro.

Zgjedhjet e fundit të parakohshme parlamentare janë mbajtur më  28 dhjetor 2025.

Këto zgjedhje e nxorën Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) si parti fituese. LVV fitoi 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 15 ulëse, dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës gjashtë ulëse.

Pos 10 ulëseve të garantuara për komunitetin serb, dy ulëse do t’i zënë dy deputetë nga Partia Turke Demokratike e Kosovës. Kurse, nga një ulëse kanë fituar partitë e tjera të komuniteteve joshumicë: VAKAT, Unioni Social Demokrat, Partia e Re Demokratike, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës (IRDK), Partia Liberale Egjiptiane, Partia Socialdemokrate e Ashkalinjve, Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës dhe Partia e Bashkuar Gorane.

Related Articles