Kur politika dështon, vendos vota e qytetarit

Kur politika dështon, vendos vota e qytetarit

Të martën e 28 prillit skena politike kosovare u karakterizua nga një seri zhvillimesh intensive që kulmuan me një vendim drastik institucional. Në përpjekje për zgjedhjen e presidentit, u mbajtën disa seanca plenare radhazi të cilat u shoqëruan me ndërprerje dhe mungesë të vazhdueshme të konsensusit politik, shkruan Gazeta “Enigma”. Pushteti ishte në seancë, por jo edhe partitë opozitare të cilët u deklaruan se s’marrin pjesë në këtë siç e quajtën ata “puç institucional”.

Thellohet ngërçi institucional, vendi shkon në zgjedhje

Gjatë ditës së djeshme, kryeministri në detyrë Albin Kurti mbajti dy konferenca për media, ku kërkoi nga partitë opozitare që të marrin përgjegjësi dhe të kontribuojnë në zhbllokimin e situatës, duke e cilësuar zgjedhjen e presidentit si detyrim kushtetues dhe urgjent për funksionimin e shtetit. Ndërsa opozita nuk morri pjesë në asnjërën nga seancat e thirrura nga Lëvizja Vetëvendosje.

Kurti kritikon qëndrimet e opozitës: Ne propozime, ata refuzime

Në konferencën e parë, Kurti deklaroi se veprimet e opozitës janë “jo-shtetërore dhe anti-institucionaliste”.

Sipas tij, opozita është e interesuar të bllokojë qeverisjen.

“Dëshmi për bllokadën është edhe një fakt tjetër. Për ta kundërshtuar pakon ekonomike për qytetarët për rishikimin e buxhetit, përkatësisht Përballen me inflacionin 2.0, u mobilizuan të gjithë, përfshirë dhe Listën Serbe. E për presidentin, nuk po vijnë në sallë” deklaroi Kurti.

Ai tha se zgjedhjet e vendit do t’i humbin dhjetëra miliona euro, përfshirë dhe bashkëpunimi me ndërkombëtarët, në mungesë të një kuvendi të konstituuar.

“U përpoqëm për një kandidat konsensual por ishte e pamundur, i ftova disa herë në takim kryetarin e LDK-së dhe PDK-së. Unë jam ai që vazhdimisht kam bërë propozime dhe kam propozuar edhe emra konkretë, por morëm vetëm refuzime” shtoi Kurti.

Duke përmendur ofertën e bërë të shtunën, që LDK-ja dhe PDK-ja të propozojnë tre kandidatë, ai tha se oferta e tij u refuzua.

“Filluan të refuzojnë edhe takimet me mua. Mirë pra! Të bëjmë debat parlamentar, por as aty nuk erdhën. Ne propozime, ata refuzime. Dy kandidatët, Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha, u hapen rrugë duke u tërhequr nga kandidatura. Edhe një mundësi e mirë për të propozuar emra opozita, sërish asnjë hap hiç” tha ai.

“Ua kemi ofru kryeparlamentarin, kanë thënë jo. E lavdëruan zonjën Rushiti, ne e propozuam, këta i thonë tërhiqe kandidaturën. Si është e mundur tërë ato lavde për të, teksa sot struken në grupet e tyre parlamentare?” tha Kurti.

Ai e falënderoi Rushitin për gatishmërinë, duke thënë se ajo edhe u kërcënua që të tërhiqej nga kandidatura.

PDK dhe AAK kërkuan që Feride Rushiti të tërhiqet nga kandidatura për president

Sekretarja e PDK-së, Vlora Çitaku, i ka bërë thirrje Feride Rushitit të tërhiqet nga kandidatura për presidente, pasi sipas saj, “kjo është lojë politike e Albin Kurtit”.

“Nga zemra i bëj thirrje Feride Rushitit që të tërhiqet nga kandidatura nga kjo lojë politike antikushtetuese e Albin Kurtit e cila është e dëmshme për shtetin dhe atë vet. Më vjen keq që ka pranuar të huazojë politikisht emrin e saj për një maskaradë të rrezikshme politike. Si PDK e çmojmë angazhimin e saj në shoqëri civile, por nderi më i madh që mund t’i bëjë vendit, është të largohet nga kjo garë”, deklaroi Çitaku.

Edhe nga AAK-ja e patën kërkesën e njëjtë. “Ne si AAK besojmë se Kosova meriton më shumë, propozimi  ynë i parë është që Feride Rushiti të tërhiqet nga kandidatura e saj për shkak se po bëhet pjesë e një procesi politik, i një procesi i cili po rrënon rendin kushtetues. Në rrethana tepër të vështira nuk kemi të bëjmë as me unifikim as diskutim, por përjashtim”, theksoi Bekë Berisha nga kjo parti.

E pas këtyre deklarimeve, në adresimin e dytë me radhë para mediave, Kurti deklaroi se e propozuara për presidente Feride Rushiti i ka votat për presidente, bazuar në votimin e të hënës së 27 prillit, por nuk e ka kuorumin.

Ai tha se kandidatja Hatixhe Hoxha ka pranuar të tërhiqet nëse LDK sjell 15 nënshkrime për një kandidat të saj.

“Ju e dini që VV-ja dhe unë kemi bërë një mori ofertash për LDK dhe PDK por të gjitha propozimet tona janë refuzuar. Nga pala tjetër nuk kemi pasur asnjë propozim për të dalë nga ngërçi. Përgjegjësia për ti dhënë Republikës institucionet e plot nuk është vetëm e fituesit. Edhe për opozitën ka përgjegjësi në konstituimin e institucioneve. Nata e mbrëmshme dëshmoi se Kosova mund të ketë presidente të re, Feride Rushtinin, meqenëse në kuti kishte 63 vota. Feride Rushiti i ka votat për presidente, mungon kuorumi. 63 vota , të fshehta janë më shumë se votat e qeverisë Thaçi 2 dhe qeveria e PAN-it me Haradinajn kryeministër. Të gjithë besoj e keni vërejtur që katër parti mungojnë në Kuvend, PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe.

Në anën tjetër, reagimet nga opozita ishin të ashpra.

Partia Demokratike e Kosovës kritikoi qeverinë për mungesë të dialogut dhe përjashtim nga procesi

“Sot jemi përballë një akti të rrezikshëm për të ardhmen e shtetit tonë. Përpjekja për zgjedhjen e Presidentit në mënyrë të njëanshme dhe me shkelje flagrante të Kushtetutës është sulm ndaj shtetit të së drejtës, që minon rendin tonë demokratik. Partia Demokratike e Kosovës e kundërshton çdo tendencë politike për t’i shpërfillur procedurat kushtetuese. Ne nuk do të lejojmë që një subjekt politik ta shfrytëzojë pushtetin për të injoruar vullnetin e qytetarëve dhe për t’i dobësuar institucionet legjitime të vendit tone”, tha kryetari i PDK-së, Bedri Hamza.

Tutje ai ka theksuar se “veprimet e tilla ua mohojnë qytetarëve të drejtën për të vendosur për të ardhmen e tyre dhe rrezikojnë ta çojnë vendin drejt një anarkie politike, e cila mund ta destabilizojë shtetin tonë të ri. Kosova është ndërtuar mbi vlerat e lirisë, drejtësisë e barazisë dhe nuk do të lejojmë që këto vlera të cenohen përmes abuzimit me pushtetin apo shkeljes së Kushtetutës”.

“Partia Demokratike e Kosovës do të qëndrojë gjithmonë në mbrojtje të Kushtetutës, institucioneve dhe shtetit të së drejtës. I bëjmë thirrje edhe qytetarëve që të jenë të vëmendshëm dhe të mos lejojnë shkelje që dëmtojnë të ardhmen e vendit. Nuk mund të ecet përpara duke shkelur Kushtetutën dhe ligjet. Ne do ta mbrojmë shtetin dhe të ardhmen e tij!”, deklaoi ai.

Edhe pasi dështoi zgjedhja e presidentit, Vlora Çitaku theksoi se e gjitha ishte një “shfaqje e turpshme”.

“Reagimi publik dhe presioni qytetar e detyruan Albin Kurti të tërhiqet nga përpjekja e tij për ta zgjedhur Presidentin në stil “karate” dhe për ta përmbysur rendin kushtetues. Po, edhe mbrëmë bëri aq sa mundi. Doli dhe abuzoi me zyrën e Presidentit.  Albin, nga ajo sallë qytetarëve u drejtohet Presidentja apo Presidenti i zgjedhur”, deklaroi Çitaku.

“Jo Kryeministri dhe as kandidatja e shumicës. Shfaqja e mbrëmshme e ilustroi qartë, me zë dhe figurë, se ju në fakt e shihni veten si autoritetin e vetëm në këtë vend: edhe President, edhe Kryeministër, edhe Ministër, edhe Kryeprokuror, edhe gjithçka tjetër. Një shfaqje e turpshme”.

LDK “zgjodhi” republikën

“Kryetari i lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se po shkojmë në zgjedhje sepse pushteti me 51% kërkoi nënshtrim. Ne zgjodhëm Republikën. Kërkuan konsensus. Ua dhamë. U takuam. Kërkuan emra. Thamë Vjosën. E injoruan. Kërkuan nënshkrime. Ua dhamë, 15 sosh, sa i kishim. Në fund, kërkuan gjënë e vetme që dinin, nënshtrimin. Këtë s’mund ta kishin”, tha Abdixhiku.

Tutje ai ka shtuar se “Vjosën, Presidenten e deritashme, e panë vetëm si kuorum, si numër plotësues për Presidenten e tyre “karate”. Ne e pamë ndryshe. E pamë siç duhet të ishte edhe me votat e tyre, një Presidente përfaqësuese dinjitoze e Republikës. Ky është dallimi i madh mes nesh.  Dhe këtë dallim do ta vulosë populli i Kosovës. Do ta zgjedhë vet. Tani është koha për bashkimin e njerëzve të mirë të këtij vendi, që duan një Kosovë normale, pa dramë, pa propagandë, me dinjitet brenda Lidhjes Demokratike. Do ta kemi!”, tha ai.

AAK kërkon protesta

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se votimi për president pa dy të tretat e deputetëve, është “shkelje e rëndë kushtetuese”, me ç’rast kërkoi që gjithë populli të protestoj kundër situatës së krijuar.

Rruga e Kurtit dhe partisë së tij, tha Haradinaj është “drejtim i gabueshëm dhe i rrezikshëm”.

“I bëj thirrje që të ndalen, mos ta vazhdojnë në këtë drejtim të rrezikshëm. Nëse shkojnë kësaj rruge, nuk na lojnë rrugë tjetër përpos që të vihemi në mbrojte të Kushtetutës, ta thirrim popullin që ta mbrojmë Kushtetutën”, deklaroi Haradinaj para mediave.

“Po suprimohet Kushtetuta e Kosovës. Të gjitha ata që e shkelin Kushtetutën, përfshirë dy kanidatet, do t’i mbulojë turpi për jetën”, u shpreh tutje Haradinaj.

VV: Kush del në rrugë pas oligarkëve politikë?

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Mefalil Bajqinovci, dje ka reaguar pasi që kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) paralajmëroi protesta për të kundërshtuar ato që i ka cilësuar shkelje të rënda kushtetuese, raporton Gazeta Enigma.

“Po kush del në rrugë pas oligarkëve politikë? Populli ua dha përgjigjen me 51.11% me Albin Kurti. E tash, kur s’kanë votë, kërkojnë zhurmë. Ani kur i sheh kush po bën thirrje, të njëjtit që e shfrytëzuan shtetin, e sot kërkojnë “revolta” për me u kthyer prapë. Por koha e tyre ka kalu, populli nuk del për ta, populli i ka çu në opozitë”, ka shkruar Bajqinovci në një status në Facebook.

Berisha i AAK-së: S’bëhemi pjesë e këtij komploti, Kurti është i vogël për ta shkatërruar Kosovën

Deputeti Bekë Berisha ka thënë se krejt kjo tendencë e Kurtit është se zgjedhjet janë të pashmangshme. Ai ka thënë se kur preket rendi kushtetues, atëherë do të ketë veprime për të mos lejuar një gjë të tillë.

“Ky është i vogël me na mohu ekzistencën neve. Ky nuk ka me arritë me e shkatërru Kosovën. Ky le të bon hajgare, por nuk ka me i dal qashtu. Ndoshta i dokemi pak, por ai e din qysh mundemi me dal. Këto manipulime se sillni nënshkrimet, më nuk ka besim askush të komunikojë me të.”, ka thënë Berisha.

Ndërsa shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka thënë se oferta e fundit e Albin Kurtit do t’ia mundësonte kandidates së VV-së, Feride Rushiti, të zgjidhet presidente.

Kurti kishte deklaruar se është i gatshëm t’i japë edhe 15 nënshkrime LDK-së nëse kjo e fundit propozon çfarëdo kandidati, duke thënë se në këtë mënyrë do të zhvillohej një garë mes Feride Rushitit dhe një kandidati të LDK-së.

Por Lushaku-Sadriu ka thënë se atë që nuk ia ka dhënë populli Kurtit, nuk mund t’ia japin ata.

“Ftesa ishte për ta bërë një kandidate të dytë dhe për t’ia mundësuar kandidates së VV-së me u zgjedh presidente. Çka jemi t’u bo na? Me ja dhanë votat një kryeministri për me e kap krejt shtetin, nuk ia ka dhënë populli. Nuk mundemi ne me ia dhanë”, ka thënë ajo.

Në fund të ditës, për shkak të dështimit të njëpasnjëshëm të seancave për zgjedhjen e presidentit dhe pamundësisë për të dalë nga ngërçi politik, u bë shpërbërja e Kuvendit të Kosovës. Si pasojë, vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Kjo ceremoni u shoqërua me duartrokitje, ani pse s’kishte rezultat për zgjedhjen e presidentit. Seanca mbaroi fiks në orën 00:00. Zgjedhjet e reja që pritet të mbahen në fund të muajit maj apo fillim të qershorit do të jenë zgjedhjet e treta brenda 1 viti e 4 muajve, duke shënuar kështu një rekord në historinë zgjedhore të Kosovës.

Vjosa Osmani fton qytetarët ta ndjekin “misionin” e saj

Ish presidentja Vjosa Osmani ka reaguar pas mos zgjedhjes së presidentit të ri.

“Rrugët që mbyllen nga padrejtësitë, gjithmonë hapen nga populli”, tha Osmani duke aluduar në amullin e krijuar pas moskandidimit të saj për ulësen më të rëndësishme të shtetit, nga LVV.

Ajo përmes një video-mesazhi në “Facebook” bëri thirrje për unitet dhe ndalim të urrejtjes e propagandës.

“Mbrëmë ka qenë një natë e rëndë për popullin e Kosovës, por ky popull ka ditur të ngritet nga momente shumë më të rënda, prandaj ka ardhur momenti që të jepim dashni dhe vetëm dashni për vendin tonë. Mjaft më me urrejtje, mjaft më me propagandë, me përqarje, me ndjellje të frikës, mjaft më. Të sjellim dashni e vetëm dashni për njëri tjetrin dhe vendin tonë. Aty ku ka frikë duhet të sjellim shpresë, e aty ku ka propagandë e shpifje duhet ta mbrojmë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën.

Ajo ka ftuar qytetarët t’i bashkohen misionit të saj. “Ju ftoj të bashkoheni në këtë mision sepse rrugët që mbyllen nga padrejtësitë gjithmonë hapen nga populli”, përfundoi Osmani.

Datat e mundshme për zgjedhje të jashtëzakonshme

Eugen Cakolli nga KDI pas shpërndarjes së Kuvendit ka deklaruar se Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu ka afat 10 ditë për të caktuar datën e zgjedhjeve, pas konsultimit me partitë politike dhe KQZ-në.

“Megjithatë, afati 10-ditor i U.D. Presidentes për shpalljen e zgjedhjeve nuk e shtyn afatin e fundit për mbajtjen e tyre – që mund të jetë vetëm 31 maji ose 7 qershori”, ka shkruar ai.

Por, sipas Cakollit, vet shkuarja në zgjedhje të reja prodhon pasojat e mëposhtme institucionale:

Me shpërndarjen e Kuvendit, ka përfunduar edhe mandati i Qeverisë

Nga mesnata e mbrëmshme, Qeveria konsiderohet në dorëheqje dhe veprimtaria e saj kufizohet vetëm në punë të domosdoshme dhe të planifikuara sipas buxhetit (që ka pasur mangësi të shumta) dhe planit vjetor (që nuk është publik). Qeveria nuk mund të propozojë më projektligje të reja, strategji apo dokumente tjera politike, nuk mund të iniciojë emërime në pozita publike dhe nuk mund të ndërmarrë marrëveshje ndërkombëtare që kërkojnë ratifikim nga Kuvendi.

Projektligjet në procedurë parlamentare rikthehen në pikën zero

Në Kuvend kanë qenë rreth 30 projektligje në shqyrtim. Me shpërndarjen legjislaturës, këto nuk vazhdojnë më tutje, meqë i gjithë procesi legjislativ duhet të rifillojë nga pika zero pas konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së re.

Raportet e institucioneve të pavarura mbesin pa shqyrtim

Asnjë raport vjetor i institucioneve të pavarura që i raportojnë Kuvendit nuk është miratuar. Me mungesën e Kuvendit funksional, këto raporte mbesin pezull dhe nuk trajtohen deri në krijimin e legjislaturës së re, duke pamundësuar llogaridhënien.

“Pra, deri në mbajtjen e zgjedhjeve dhe krijimin e institucioneve të reja – që do të marrë kohë të paktën tre-katër muaj – shteti do të jetë në pauzë”, tha ai. /GAZETA ENIGMA/

Related Articles