Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka zhvilluar të mërkurën një telefonatë me të dërguarin special të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, me të cilin ka diskutuar gjerësisht për Propozimin evropian, raporton Gazeta Enigma.
Krasniqi ka thënë se sikur edhe në takimet e tjera të këtyre ditëve, edhe emisarit Sarrazin i ka ripërsëritur qëndrimin e PDK-së dhe rezervat që ka në raport me këtë propozim, i cili “është i pamjaftueshëm për Kosovën”.
“Unë i kam deklaruar në Washington, Bruksel dhe në Kuvend të Kosovës pesë pikat të cilat duhet të jenë shtylla të një marrëveshje finale, gjithëpërfshirëse, ligjërisht dhe ndërkombëtarisht të obligueshme me Serbinë”, ka shkruar ai në Facebook.
Sipas tij, që të gjitha kanë qenë në linjë me interesin shtetëror të Kosovës dhe me qëndrimet e partnerëve të saj ndërkombëtarë.
“Fatkeqësisht, si pasojë e kokëfortësisë së tij dhe mos koordinimit me aleatët tanë, Kryeministri Kurti ka dështuar në procesin e dialogut – duke mos përmbushur kërkesat dhe qëllimet tona shtetërore”, ka përfunduar Krasniqi.