Memli Krasniqi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, i ka ftuar të gjithë deputetët që nesër në seancën e jashtëzakonshme të votohet Rezoluta në mbrojtje të Policisë së Kosovës.
“Nesër kemi thirrur seancë të jashtëzakonshme për ta miratuar këtë Rezolutë. Policët tonë meritojnë shtesat për rrezikshmërinë, sigurimin shëndetësor dhe miratimin e Ligjit për pensionim të parakohshëm”, ka shkruar Krasniqi.
Shkrimi i plotë:
Javën e kaluar, si Grup Parlamentar i PDK-së, kërkuam unitet që ta votojmë Rezolutën për të mbështetur konkretisht Policinë e Kosovës. Grupet Parlamentare të LDK-së dhe AAK-së e mbështetën këtë propozim tonin, ndërsa Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes e kundërshtoi.
Duke marrë parasysh zhvillimet e fundit në vend, posaçërisht pas 24 shtatorit, PDK konsideron se forcimi dhe mbështetja e Policisë duhet të jetë prioritet shtetëror – andaj nuk mund ta pranojmë këtë qasje neglizhuese të pushtetit dhe të qëndrojmë duarkryq.
Prandaj, nesër kemi thirrur seancë të jashtëzakonshme për ta miratuar këtë Rezolutë. Policët tonë meritojnë shtesat për rrezikshmërinë, sigurimin shëndetësor dhe miratimin e Ligjit për pensionim të parakohshëm.
I ftoj të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që nesër, me votën e tyre, të dëshmojnë se e mbështesin dhe janë me Policinë e Kosovës – sepse vetëm fjalët dhe postimet në rrjetet sociale nuk mjaftojnë!