Krasniqi: Jemi të përgatitur për rritjen e numrit me COVID -19

Krasniqi: Jemi të përgatitur për rritjen e numrit me COVID -19

Drejtori i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, ka thënë se aktualisht në spitalet e përgjithshme dhe Qendrën Klinike Universitare të Kosovës janë të shtrirë 27 pacientë, ku 6 prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19.

Por, ai ka thënë se presin që në ditët në vijim të rritet ky numër, e problemet e mëhershme kësaj radhe nuk do të ekzistojnë.

Sa i përket asaj se a ka kapacitete të mjaftueshme SHSKUK-ja për t’u përballur me fluks të pacientëve, Krasniqi ka theksuar se tashmë është dëshmuar se ka pasur kapacitet për të menaxhuar këto raste.

Kujtojmë se në Kosovë janë 997 raste aktive me COVID-19. Në 24 orët e fundit janë konfirmuar 144 raste të reja me virusin, nga 3 mijë e 908 testime të kryera.

“Aktualisht numri i pacientëve të prekur nga Covidi është i vogël, që disa muaj kemi numër simbolik. Sot kemi 27 pacientë të shtrirë, 6 prej tyre janë pozitiv. 21 të tjerë kanë komplikime”, është shprehur Krasniqi.

“Ne presim që numri të rritet në ditët në vazhdim. Sa i përket kapaciteteve, unë besoj se tashmë e kemi dëshmuar se Kosova, ka pasur kapacitete për të menaxhuar pandeminë”, ka thënë Krasniqi në RTV21.

Pos, përgatitjeve për rastet që presin të rriten, Krasniqi njoftoi se tashmë as furnizimi me oksigjen nuk do të jetë çështje problematike.

“Sfida më e madhe që kemi pasur është furnizimi me oksigjen, sepse kjo është pjesë kryesore e terapisë. Tashmë këtë problem e kemi zgjidhur. E kemi ndryshuar tërësisht sistemin e furnizimit me oksigjen”, shtoi Krasniqi./Gazeta Enigma/

Related Articles