Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se paralajmërimi i KESCO-s se konsumi i brendshëm i energjisë do të mbulohet tërësisht nga importi, është tregues alarmues i gjendjes në sektorin energjetik të vendit.
Sipas Krasniqit, kjo është “pasojë e qartë e dështimit të Qeverisë Kurti për të garantuar siguri energjetike”.
“Kosova ka rezerva të mëdha të thëngjillit dhe infrastrukturë ekzistuese për prodhim vendor, por sot qytetarët, përveç se po përballen me çmime marramendëse të energjisë, po përballen edhe me pasiguri dhe kërcënim me reduktime të furnizimit, pa asnjë transparencë. Prej përfundimit të luftës nuk ka ndodhur që mos të ketë fare prodhim të energjisë nga KEK-u!”, ka shkruar Krasniqi.
Ai ka thënë se Qeveria në detyrë duhet t’u jap qytetarëve sqarim të plotë dhe të qartë, teska ka parashtruar disa pyetje.
“Në emër të interesit publik, kërkoj urgjentisht nga Qeveria në largim që t’u japë qytetarëve një sqarim të plotë dhe të qartë: Pse KEK-u nuk po arrin të prodhojë energji?; Cilat janë arsyet e degradimit të kësaj ndërmarrjeje strategjike?; A është kjo gjendje pasojë e sabotimit të qëllimshëm ndaj KEK-ut?; A kanë dorë mafia energjetike dhe sekserët e tregtisë me energji për gjendjen aktuale?; Kush do të mbajë përgjegjësi për këtë situatë të rëndë?”, ka shkruar Krasniqi.
“Energjia është çështje e sigurisë kombëtare – dhe kjo krizë kërkon urgjentisht veprime, jo arsyetime”, përfundon postimi i Krasniqit.
KESCO ka paralajmëruar se në mungesë të prodhimit vendor nesër e ditëve në vijim, e gjithë sasia e rrymës do të duhet të mbulohet përmes importit.