Mbrëmjen e 23 prillit në lagjen Emshir të Prishtinës, pati të shtë me armë zjarri, ku një person ka mbetur i plagosur, raporton Gazeta “Enigma”.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, i cili ka njoftuar se në lidhje me rastin Policia ka identifikuar një person si të dyshuar.
“Rreth orës 21:00 është raportuar për të shtëna me armë zjarri në rrugën ”Rexhep Krasniqi” në Prishtinë. Nga informacionet e para bëhet e ditur për një person të plagosur, jashtë rrezikut për jetë, i cili po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor në QKUK. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, ka identifikuar një person të dyshuar, si i implikuar në rastin në fjalë, përderisa po vijon punën hetimore me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje”, tha Borovci.
Në media u raportua se i plagosuri i përket moshës diku rreth 25-vjeçare. Ndërsa për të dyshuarin u tha se ndaj tij janë të hapura disa raste penale, përfshirë këtu edhe incidente me armë zjarri, ku dyshohet se ai edhe më parë ka qenë i përfshirë në një tentim vrasje.
I plagosurui aktualisht është jashtë rrezikut për jetën dhe po trajtohet në QKUK. /Gazeta Enigma/