Krejt çka ndodhi nga tragjedia e së premtes në Deçan, ku u vranë tre persona

Krejt çka ndodhi nga tragjedia e së premtes në Deçan, ku u vranë tre persona

Të premten mbrëma, në orën 19:00 u raportua për një krim të kryer në mes të fshatit Shaptej dhe Gllogjan, shkruan Gazeta “Enigma”.

 Autobusi që po transportonte nxënës nga Gjakova për në Deçan, është sulmuar nga një person i maskuar, ku si rezultat kanë mbetur të vdekur 3 persona dhe një i plagosur.

Pas këtij rasti, në vendin e ngjarjes ka mbërritur Policia e Kosovës.

I vdekur në vendin e ngjarjes kishte mbetur shoferi i autobusit që po i transportonte nxënësit. Ndërkaq, të plagosur kishin mbetur edhe dy nxënës, vajzë dhe djalë të moshës 16-17 që vdiqën në Spitalin e Pejës.

Nga raportimet zyrtare është bërë e ditur se nxënësi tjetër i cili është plagosur është jashtë rrezikut për jetë.

Kështu ka bërë të ditur, Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha, e cila së bashku me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci vizituan spitalin e Pejës për të parë nga afër viktimat e ngjarjes tragjike.

“U siguruam nga drejtori i spitalit dhe stafit shëndetësor që pacienti është duke marrë trajtimin e duhur. Është kryer operacioni dhe është nxjerrë gëzhoja dhe pacienti është në gjendje stabile” tha ajo.

Ndërsa, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci tha se viktimat kanë qenë maturantë, njëra në shkollën e mjekësisë dhe tjetri në shkollën e ekonomisë në Gjakovë.

“Rasti kriminal që ka ndodhur na ka tronditur të gjithëve, ku fatkeqësisht dy nga viktimat kanë qenë fëmijë, njëra maturante në shkollë të mjekësisë dhe tjetri në shkollë ekonomike në Gjakovë”.

“Kanë qenë në autobus në linjën e fundit duke u kthyer në shtëpitë e tyre. Pacienti është në gjendje të mirë shëndetësore dhe me aq sa jemi në njohur edhe organet e rendit janë duke bërë përpjekjet maksimale që krimineli të zihet sa më parë dhe të vihet para drejtësisë”, është shprehur Nagavci.

Lidhur me tragjedinë kanë reaguar, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e shumë eksponentë tjerë të politikës.

Ndërsa ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një prononcim për media njoftoi se ekipi i Institutit të mjekësisë ligjore kishte arritur me kohë në vendin e ngjarjes.

“Ekipi i Institutit të mjekësisë ligjore është në vendin e ngjarjes dhe jemi në komunikim të vazhdueshëm me institucionet. Ky rast duhet të zbardhet sa më parë dhe kriminelët duhet të përballen me drejtësinë” ka thënë ajo.

Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, i cili ishte për vizitë në Shqipëri, tha se menjëherë pasi u informua për tragjedinë në Deçan është nisur për në Kosovë.

“Kam kërkuar nga Policia e Kosovës angazhim dhe mobilizim maksimal, me të gjitha njësitë dhe formacionet e nevojshme, në mënyrë që autori i këtij akti makabër të arrestohet sa më pare”, shkroi Sveçla.

Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj ka thënë se shpreson që ky sulm të mos jetë terrorist.

“Një autobus që transporton nxënës me u gjuajt në një vend ku dy fëmijë të fshatit Gllogjan kanë gjetur vdekjen…Uroj që të mos jetë ndonjë sulm terrorist mirëpo uroj që këto raste të mos përsëriten kurrë në vendin tonë’, deklaroi ai.

Të njejta konkludime në lidhje me këtë rast, pati edhe avokati Arianit Koci i cili ka kritikuar Policinë e Kosovës pas deklaratave të disa zëdhënëseve të tyre për media, të cilët e kanë hedhur poshtë mundësinë se sulmi i armatosur që ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në Gllogjan të Deçanit të jetë akt terrorist.

Avokati, Arianit Koci

Sipas tij, sulmi që ka ndodhur të premtën, mund të mos jetë akt terrorist por pasojat janë të një akti terrorist.

“Së pari unë mendoj që Policia e Kosovës duhet t’i vazhdojë hetimet e mos të deklarohet në media për teoritizime se a është akt terrorist apo jo, sepse në fund të fundit popullatës nuk i intereson çfarë akti është, popullatës i intereson me e gjete kryesin apo kryesit e veprave penale. E dyta, mund të mos jetë akt terrorist, por pasojat janë të një akti terrorist për shkak se premisa kryesore e një akti terrorist është mbjellja e frikës tek qytetarët e Republikës së Kosovës” ka shtuar ai.

Edhe nga Prokuroria e Shtetit janë deklaruar lidhur me vrasjen në Gllogjan të Deçanit, për çka thonë se janë duke i ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e autorit të krimit.

“Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, njofton se Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, së bashku me Zëvendës-kryeprokurorin e kësaj prokurorie dhe prokuroren kujdestare të Departamentit të Krimeve të Rënda, kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe në koordinim me Policinë e Kosovës janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e autorit të krimit të ndodhur në Gllogjan të Deçanit”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

Tutje kanë bërë thirrje që kushdo që ka informata rreth ngjarjes, atëherë të njoftohet prokuroria dhe policia.

“Po ashtu, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, ka bërë thirrje që kushdo që ka ndonjë informacion për këtë rast, të bashkëpunojë me Prokurorinë dhe Policinë, në mënyrë që kryerësi e këtij krimi të kapet dhe të dalë sa më shpejtë para drejtësisë”, përfundon komunikata.

Megjithatë ende nuk dihet autori e as motivet e sulmit që ndodhi në Deçanin dhe tronditin gjithë vendin. /Gazeta “Enigma”/

Related Articles