Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka pritur në takim Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajčák.
Në takim u bisedua për mbarëvajtjen e deritanishme të takimeve, qasjes konstruktive përgjatë tërë procesit të dialogut në Bruksel, parimet, vlerat dhe synimin e këtij procesi.
Në njoftimin e Qeverisë thuhet se Kurti e ritheksoi se ekzekutivi është angazhuar për dialog parimor, nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, nëpërmjet një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe të zbatueshme, që në qendër ka njohjen reciproke.
” Kurti dhe Lajçak folën edhe për marrëveshjen mbi zbatimin e udhërrëfyesit të energjisë sipas marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015. Ai theksoi angazhimin e Qeverisë në zbatimin e tij, me qëllim të përfundimit të një problematike të trashëguar, tё furnizimit dhe pagesës sё energjisë në katër komunat në veri tё vendit”.
“Në sajë të kësaj marrëveshje, pas më shumë se 20 vitesh, katër komunat në veriun e Kosovës, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore, do të kalojnë në një rend të rregullt të faturimit të energjisë. Me këtë marrëveshje, buxhetit të Republikës së Kosovës do t’i kursehen me dhjetëra milionë euro në vit, të paguara më herët për mbulimin e kostove energjetike të veriut të vendit”, thuhet në njoftim. /Gazeta Enigma/