Mandat i tejzgjatur, aktakuza të reja dhe një qasje për shumë kënd joadekuate ndaj të akuzuarve, janë disa nga arsyet se pse në Kosovë zërat kritikues ndaj Gjykatës Speciale janë shtuar.
Rasti i fundit që ngjalli një valë reagimesh ndaj Speciales, ishte ai i moslejimit të ish-presidentit Hashim Thaçi që të marrë pjesë në varrim e babait të tij.
Lidhur me këtë, Ambasada Gjermane në një përgjigje për Express kanë thënë se vazhdojnë ta mbështesin pa mëdyshje punën e Speciales.
“Gjermania vazhdon të mbështesë fuqishëm dhe pa mëdyshje Dhomat e Specializuara të Kosovës në të gjitha aspektet e saj. Ato janë një shtyllë thelbësore e sundimit të ligjit në Kosovë dhe një element thelbësor në avancimin e drejtësisë tranzicionale në të gjithë rajonin”, thuhet në përgjigjen e tyre.