Kritikohet “lufta” e LVV-së me mediat, ashpërsohet gjuha e pushtetit në prag të zgjedhjeve

Kritikohet “lufta” e LVV-së me mediat, ashpërsohet gjuha e pushtetit në prag të zgjedhjeve

Në katër vitet e fundit, me një fushatë kundër tyre janë duke u përballur shumica e mediave në Kosovë, përfshirë këtu edhe analistët e debateve televizive. “Luftën” e nisur nga partia në pushtet, LVV, e shpërfaqi edhe intervista e fundit e deputetes së kësaj partie, Fitore Pacolli, në transmetuesin publik, shkruan Gazeta Enigma.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka lëshuar një valë kritikash ndaj gazetares së RTK-së, Blerta Foniqi-Kabashi, pasi kjo e fundit kërkoi llogaridhënie nga deputetja Pacolli në lidhje me raportimet se burri, baxhanaku dhe vëllai i saj janë përfitues të dhjetëra mijëra eurove nga grantet në Ministrinë e Bujqësisë, e cila udhëhiqet nga bashkëpariaku i saj.

“Nuk ia dhashë atë kënaqësi gazetares që e kishte misionin e porositur nga jashtë. Pyetjet e saj ishin të dirigjuara, dhe kur e sfidova, tha: ‘Nuk jam gazetare e nënshtruar.’ Jo se kishte parim, por sepse priste duartrokitje nga ‘kolegë’ të saj mercenarë. Për të sot nuk kishte rëndësi përgjegjësia që ka ndaj publikut, por si do të vlerësohej ajo nga ata që e udhëzonin nga prapaskena. Kujt i nënshtrohet kjo gazetare?”, shkroi Pacolli në një postim në Facebook pas intervistës.

Pacolli nuk ka lënë pa kritikuar edhe gazetarë të tjerë, si Lirim Mehmetaj, Ilir Mirena dhe Valon Syla.

E gjithë kjo po vlerësohet nga njohësit e çështjeve politike si sulm dhe fushatë e VV-së kundër mediave që monitorojnë punën e institucioneve.

Njohësi i çështjeve politike, Adrian Zeqiri, thotë për Gazetën Enigma se raporti i LVV-së me mediat në Kosovë “ka qenë jo i mirë për një kohë të gjatë”.

“Interaksioni i Pacollit me mediat – në momentin e parë që mediat janë më kritike, edhe në një media siç është RTK-ja, e cila njihet që është e kontrolluar – në momentin që gazetarja i ka bërë pyetje jashtë skenarit që Pacolli e ka pritur, e kanë akuzuar menjëherë për rreshtim me opozitën”, tha Zeqiri.

“Pikënisja nga lideri Albin Kurti” Analisti Zeqiri thotë se qasja e LVV-së ndaj mediave në Kosovë e ka pikënisjen nga lideri Albin Kurti.

“Ai nuk e ka dhënë pothuajse asnjë intervistë me ndonjë gazetar të pavarur. E pamë se si shkoi intervista e fundit e tij me një gazetar në RTK. Ka qenë plotësisht një intervistë ku vetë gazetari i jepte përgjigjet për kryeministrin,” u shpreh Zeqiri për Enigmën.

“Sjellje skandaloze”

Njohësi tjetër i çështjeve politike, Avni Arifi, deklaron se sjellja e deputetes Pacolli ndaj gazetares në fjalë ishte “skandaloze”.

“Sjellje skandaloze e deputetes që bën fajtore të gjithë ata që kërkojnë sqarime për përfitimet e familjarëve të saj nga zyrtarët e VV-së në Qeveri”, tha Arifi.

I njëjti akuzoi VV-në se “po përpiqet me çdo kusht që të krijojë imunitet ligjor për keqpërdorimet që bën, duke ngulfatur mediat, intimiduar prokurorët dhe gjyqësorin”.

“Në arritjen e këtij qëllimi përdorin dhe orkestrojnë bandat e tyre të rrjeteve sociale,” shtoi më tej Arifi.

Ai thekson se “nuk ka zanafillë tjetër. Nuk po flasim për incidente të izoluara këtu, por për një strategji mirë të menduar nga lidershipi i VV-së për defaktorizimin e të gjitha shtyllave të shtetit: prokurorisë, gjyqësorit, shoqërisë civile, mediave, aleatëve dhe gjithkujt që s’është pjesë e projektit të Kurtit.”

Reagime të tjera nga figurat publike Eugen Cakolli nga KDI tha se të kërkosh llogari dhe të refuzosh një narrativë “nuk është sulm personal”.

“Përkundrazi, fakti që kjo u duket e papranueshme disave, flet shumë për standardin që presin nga mediumi publik – mbase për shkak të përvojave të kohëve të fundit,” shkroi Cakolli.

“Sidoqoftë, pas kësaj interviste të fundit në RTK, mos u çuditni kur të refuzohet përkohësisht pjesëmarrja në intervista të tjera… të paktën derisa të bien në ndonjë moderator/e më pak (ose aspak) sfidues/e,” shtoi ai.

Edhe opinionisti Imer Mushkolaj tha se gazetarja bëri punën që i takon. “

Kërkoi llogari nga deputetja në emër të publikut. Linçimet dhe sulmet e partisë në pushtet ndaj saj dhe gazetarëve të tjerë janë të rrezikshme.”

Kritika për mostransparencë dhe linçim të mediave, partia në pushtet ka pasur vazhdimisht, veçmas në zgjedhjet e jashtëzakonshme, ku gjuha e tyre u ashpërsua dukshëm.

Kritikë për qasjen e LVV-së karshi mediave pati edhe Bashkimi Evropian, përgjatë monitorimit të fushatës elektorale në zgjedhjet e shkurtit./Gazeta Enigma

Related Articles