Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Bernard Nikaj, ka mbajtur konferencë për media në lidhje me krizën energjetike në vend, raporton Gazeta Enigma.
Nikaj i PDK-së, ka thënë që kriza energjetike nëpër të cilën po kalon Kosova ka ardhur si pasojë e neglizhencës së qeverisë.
“Për më shumë se tre muaj Partia Demokratike ka alarmuar lidhur me krizën energjetike që po afrohet”, ka thënë Nikaj në konferencë për media.
“Përkundër kësaj, qeveria e Kosovës në vazhdimësi e ka neglizhuar problemin dhe ka dështuar të hartojë dhe mos marrë masa që të krijojë siguri dhe një përballje me këtë krizë”.
“Duke i ditur kapacitetet e limituara sidomos në periudhën e vjeshtë dhe dimrit për të mbuluar kërkesën për konsum, deklarimet e kësaj qeverie vetëm pak javë më parë ishte se Kosova nuk ishte prekur dhe ne e mbulojmë shumicën e konsumit vendor, pra, një neglizhencë dhe amatorizëm total për arsye të mosdijes apo të kalkulimeve politike”.
Tutje, Nikaj akuzoi qeverinë se nuk e pranoi krizën duke përllogaritur situatën me zgjedhjet lokale, dhe se tash po vuan Kosova nga këto veprime.
“Mospranimi i krizës ka qenë kalkulim i pastër politik i lidhur me zgjedhjet lokale. Sot pasojat po i vuan e gjithë Kosova”.
“Kjo qeveri jo që nuk ndërmori asnjë masë të adresonin problemin në rritje që këta akterë po ballafaqoheshin, por në mes të krizës, një entiteti të rregulluar si KOSTT, i cili fitimet eventuale do të duhej t’ua kthente konsumatorëve, i mori në dividentë prej 20 milionë eurosh”.
“Se sa i gabuar ka qenë ky vendim tregon fakti që dje në mbledhjen e qeverisë u mor vendimi për kthimin e këtyre mjeteve. Edhe më keq që këto mjete janë për mbulimin e shpenzimeve të rrymës për furnizim të Veriut të vendit”.
Ndryshe, sot në seancën e Kuvendit AAK-ja ka bërë thirrje për të debatuar në lidhje me krizën energjetike, por është shtyrë për ditën e martë. /Gazeta Enigma/.