Zinxhiri më i madh i supermarketeve në Kroaci, “Konzum” ka njoftuar se po tërheq nga raftet e dyqaneve të saj produktet serbe të ëmbëlsirave Munchmallow family 210g dhe Munchmallow 105g.
Sipas tyre arsyeja e tërheqjes ishin vetitë organoleptike të ndryshuara të produktit.
Konzum u kërkoi klientëve të kontrollonin nëse e kanë blerë produktin dhe ta sjellin atë në dyqanin më të afërt të Konzum, ku do t’u kthehen paratë.
“Kërkojmë ndjesë për shqetësimin ndaj klientëve, por është në interesin tonë që të gjitha produktet që nxjerrim në treg të jenë në përputhje me kriteret më të larta të cilësisë dhe shëndetit”, kanë përfunduar ata.
Pas publikimit të këtij lajmi Gazeta “Enigma” ka kontaktuar me Lamir Thaçi, zëdhënës në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë i cili ka njoftuar se AUV do të ngritë nivelin shtesë të kontrollit të brendshëm për të verifikuar se cilat seri të prodhimit janë të dyshimta.
Tutje ai ka shtuar se nëse në qarkullim ndodhet sasi e Munchmallow, “duhet të jenë seri tjera të prodhimit që nuk hynë në rangun e produkteve të dyshimta”, por që AUV do ti kryej kontroolet e nevojshme për verifikimin e tyre.
“Sa i përket kontrollit Kufitar, produktet finale në ketë rast edhe produkti në fjalë nuk është lejuar për import që nga dt. 14.06.2023 bazuar në urdhëresën për ndalim të produkteve me origjinë serbe. Nëse në qarkullim të brendshëm gjendet ndonjë sasi e këtij produkti, duhet të jenë seri tjera të prodhimit që nuk hynë në rangun e produkteve të dyshimta. Ne do të ngrisim nivelin shtesë të kontrollit të brendshëm për të verifikuar me informacione shtesë se cilat seri të prodhimit janë të dyshimta”, tha Thaçi për Gazetën “Enigma”.
Sipas tij produkti në fjalë nuk është lejuar për import nga qershori i këtij viti, bazuar në urdhëresën për ndalim të produkteve me origjinë serbe.
Tutje Thaçi ka theksuar se “AUV nga dt.14.06.2023 nuk ka të regjistruar ndonjë import me këto prodhime”.
Kujtojmë se “Konzum” është zinxhiri më i madh i supermarketeve në Kroaci, me mbi 700 dyqane në të gjithë vendin. /GAZETA ENIGMA/