Kryeministri Albin Kurti teksa po qëndron në Kroaci në takim me homologun e tij nga ky shtet, Andrej Plenković kanë mbajtur dhe një konferencë të përbashkët, raporton Gazeta Enigma.
Me këtë rast kryeministri kroat ka thënë se realiteti i shtetësisë së Kosovës është i pakthyeshëm.
Ky koment i tij erdhi pasi Kurti foli për marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë.
“Kosova si shtet i njohur ndërkombëtarisht është tashmë realitet, dhe nuk shoh një skenar në të cilin kjo do rrënohej. Është me rëndësi për gjithë rajonin që marrëdhëniet midis shteteve që kanë lindur nga rrënimi i ish-Jugosllavisë të rregullohen me respekt të nërsjelltë pa konflikte dhe në proces të integrimit evropian. Besoj ky është i gjithë qëllimi i Bashkësisë Evropiane”, tha Plenković.
Ndërkohë para tij, Kurti kërkoi nga Brukseli zyrtar që të ushtroj më shumë presion tek Serbia për të arritur tek një marrëveshje normalizimi me Kosovën.
“Ne mendojmë që kemi më shumë se dialog, sepse kemi marrëveshje me Serbinë dhe ne insitojmë që Brukseli të ushtrojë presion ndaj Beogradit që ata të zbatojnë marrëveshjet, dhe ti implementojnë ato me qëllim që të arrijmë tek normalizimin e marrëdhënieve. Kosova është shtet normal, kemi rritje ekonomie, kemi progres demokratik, por që marrëdhëniet tona normale duhet të përmbajnë edhe një Serbi normale, dhe këtu Brukseli mund të bëjë shumë më shumë sesa që bënë aktualisht”, tha Kurti.
Ai po ashtu përmendi miqësinë e mirë me shtetin kroat duke theksuar poashtu nevojën për bashkëpunim të mëtutjeshëm midis dy vendeve. / Gazeta Enigma.