Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës së sotme do të udhëtojë për në Bruksel.
Vizitën dy ditore të Kurtit, e ka konfirmuar zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.
Kryeziu, ka treguar se Kurti do të takohet me presidentin e Parlamentit Evropian, David Sassoli, me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe me shefin e diplomacisë evropiane, Josep Borrell.
Ndryshe, Kryeziu ka theksuar se kryeministri këtë vizitë do t’a realizojë së bashku me ministrat, Besnik Bislimi dhe Donika Gërvalla.
Ndërsa shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropain, Josep Borrell, ka thënë se pret që të ketë një rund të radhës të dialogut Kosovë – Serbi më 11 maj.
“Shpresoj të kemi një rund të radhës të dialogut në datën e paraparë 11 maj. Nuk kam asgjë për të ofruar, vetëm dua të shpjegojë sa i rëndësishëm është të vazhdohet ky dialog”, ka thënë Borell.
Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës ka shkruar në Facebook se datat dhe agjendat e takimit kanë kuptim kur ka dakordim.
“Datat, vendet dhe agjendat e takimeve kanë kuptim dhe zbatim kur merremi vesh, jo kur imponohen njëanshëm”, ka shkruar ai.