Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar të gjitha gratë e vendit, duke i falënderuar për kontributin e tyre në shtet dhe shoqëri.
Në një deklaratë të gjatë, ai ka nënvizuar se gratë meritojnë jo vetëm lule, por edhe vëmendje ndaj kërkesave dhe nevojave të tyre, të cilat burojnë nga pabarazia gjinore. “Këtë e kemi parasysh që prej ditës së parë të Qeverisë dhe dështojmë vetëm nëse harrojmë,” ka thënë Kurti.
Kryeministri ka prezantuar disa nga rezultatet e Qeverisë në drejtim të barazisë gjinore, duke i cilësuar ato si përgjegjësi dhe obligim, jo si mburrje. Sipas tij, pothuajse çdo vendim qeveritar merr parasysh ndikimin në jetën e grave dhe vajzave në Kosovë. Ai ka veçuar disa arritje konkrete, duke filluar nga pavarësimi ekonomik si parakusht kryesor i barazisë:
- Mbështetje direkte për punësimin e mbi 12 mijë grave;
- 51% e 16 mijë të rinjve të punësuar përmes platformës Superpuna janë vajza;
- Afër 60% e 3 mijë të rinjve që kanë përfituar punë praktike nga programi Kosovo Generation Unlimited janë gra dhe vajza;
- Në administratën publike, 48% e të rekrutuarve në 2023 dhe 63% në 2024 ishin gra;
- Mbështetje për punësimin e mbi 4 mijë personave (55% gra) nga familje pa asnjë anëtar të punësuar përmes programit “Qeveria për familjet”;
- Trajnim dhe mbështetje në punësim për 239 persona me aftësi të kufizuara, nga të cilët 120 gra dhe vajza;
- Masë e veçantë për punësimin e grave viktima të dhunës.
Kurti ka përmendur edhe shtesat për lehona dhe fëmijë, ku rreth 70 mijë lehona kanë përfituar, 2/3 e tyre të papuna, dhe mbi 400 mijë fëmijë kanë marrë shtesa. Këto masa, sipas tij, kanë mundësuar që rreth 100 mijë gra të hapin llogari bankare për herë të parë. Po ashtu, Qeveria ka ndarë 10 milionë euro për gratë në bujqësi dhe ka mbështetur 711 biznese, 30% në pronësi të grave, me grante dhe subvencione.
Në fushën e shëndetësisë, ai ka theksuar mbi 200 mijë vizita në shtëpi për nënat dhe fëmijët, mamografinë falas gjatë gjithë vitit, rikonstruktimin e gjirit të financuar nga shteti dhe vaksinat kundër HPV për vajzat deri në 15 vjeç. Sipas Kurtit, diagnostikimi i hershëm i kancerit të gjirit ka shënuar përparim të madh falë pajisjeve të reja dhe fushatave ndërgjegjësuese.
Në mbështetje të viktimave të dhunës, Qeveria ka zbatuar 87% të Strategjisë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe ka lansuar protokollin për trajtimin e rasteve të dhunimeve seksuale, duke ofruar gjithashtu ndihmë juridike falas dhe programe psiko-sociale për kryerësit e dhunës.
Pjesëmarrja e grave në pozicione vendimmarrëse dhe administratë publike është rritur ndjeshëm, ndërsa dy gra kryeshefe kanë kthyer Telekomin dhe Postën nga humbjet në fitim brenda dy viteve. Në forcat e rendit dhe sigurisë, aktualisht shërbejnë 1303 police dhe 324 ushtare.
“Barazia është puna jonë e përditshme si qeveri,” ka thënë Kurti, duke shtuar se rezultatet u përkasin qytetareve, ndërsa proceset janë shtyrë kryesisht nga gratë. Ai ka përfunduar duke falënderuar gratë për kontributin dhe frymëzimin, me një premtim për angazhim të vazhdueshëm drejt barazisë gjinore.