Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, duke komentuar deklaratën e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se do të angazhohet të korrigjohet Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi, në formën në të cilën u ratifikua në 2018, tha se ajo marrëveshje është e vlefshme dhe se faktet dhe realiteti duhet të respektohen.
Krivokapiq, siç raportojnë mediat serbe, vuri në dukje se “kjo marrëveshje është e vlefshme dhe e detyrueshme për të dy palët.”
“Çështja e kufijve në Ballkan është gjithmonë problematike. Nëse prekni kufijtë, potencialisht kjo është një konflikt. Dy grupe ekspertësh konstatuan atë gjendje [në kufirin Kosovë-Mali i zi] dhe kjo është verifikuar ndërkombëtarisht. Nuk shoh arsye pse duhet ta ngremë sërish atë çështje”, tha Krivokapiq.
Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e Kuvendit më 7 korrik, është shprehur se Komisioni Shtetërorë për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit nuk ka mandat, dhe në momentin që do të emërohet komisioni i ri do të trajtohen në komision të gjitha çështjet që kanë mbetur pezull.
Kurti ka thënë se do t’i përdor sa më shpejt mekanizmat që të korrigjojë gabimet që janë bërë.
“… Komisioni Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit nuk ka mandat. Në momentin që do të kemi një komision të ri të emëruar, të gjitha çështjet që kanë mbetur pezull do të trajtohen nga komisioni përmes mekanizmave të veçantë. Unë do të bëjë maksimumin që të korrigjoj gjithçka që është bërë padrejtësisht e dëmshëm në vitin 2018 kur është ratifikuar ajo marrëveshje, e cila ja humbi territorin e saj Kosovës. Unë do të përdori mekanizmat sa më shpejt që është e mundur që të korrigjoj gabimet fatale të tmerrshme që i keni bërë ju në atë legjislaturën e kaluar”, ka thënë Kurti, telegrafi.