Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Ardian Hajdaraj, tha se Besim Kelmendi është shkarkuar nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit për shkak të qëndrimeve të njëanshme dhe denigruese në takimet e Këshillit dhe prononcimet për medie. Ai tha se mirëpresin faktin që Kelmendi do të ndjek rrugët ligjore për të kontestuar vendimin për shkarkimin e tij.
Në një konferencë për medie të thirrur të martën, Hajdaraj duke folur për zhvillimet e fundit në KPK, tha se në mbledhjen e 20 nëntorit, ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi dhe katër anëtarë të tjerë lëshuan kundërligjshëm mbledhjen.
Sipas tij, në atë takim anëtarët e Këshillit erdhën të përgatitur dhe me qëllim për të bllokuar punën e Këshillit, e që në asnjë rrethanë nuk duhet të bllokohet, por të ketë funksionim normal për të përmbushur mandatin e tij.
Besim Kelmendi në mbledhjen e 20 nëntorit u shkarkua nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit. Vendimi u mor nga pesë anëtarë të Këshillit të pranishëm në atë takim, pasi fillimisht takimi u mbyll në mungesë kuorumi me largimin e Kelmendit dhe katër anëtarëve tjerë nga kjo mbledhje. Ky vendim ka nxitur reagime të shumta dhe është cilësuar si kundërligjor. Vetë Kelmendi ka paditur KPK-në duke kërkuar anulimin e vendimit.
“Nga qëndrimet e njëanshme dhe denigruese të shprehura nga zoti Kelmendi në takimet e Këshillit dhe prononcimet për medie, është zbehur ndjeshëm roli unifikues që i takon Kryeprokurorit të Shtetit në sistemin prokurorial, si dhe ka cenuar besimin e publikut në sistemin prokurorial”, tha Hajdaraj.
Andaj, ai thotë se për këtë arsye kanë marrë vendim për shkarkimin e Kelmendit nga kjo pozitë, shkruan “Betimi për Drejtësi“.
Sipas tij, për shkak të këtyre arsyeve dhe të tjera politike, sistemi prokurorial ka mbetur pa dekretimin e Kryeprokurorit të Shetit. Tha se në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin, kanë marrë vendim për shkarkimin e Kelmendit, ndërkaq theksoi se në vend të tij caktuan Agron Qalajn.
“Ne e mirëpresim qasjen e zotit Kelmendi për të ndjekur të gjitha rrugët ligjore për ta kontestuar ligjshmërinë e këtij vendimi. Ne duhet t’i besojmë sistemit tonë gjyqësor për vendimet që merr, përfshirë edhe këtë çështje”, shtoi Hajdaraj.
Por, sipas tij, tentimi për të penguar punën dhe funksionimin e Këshillit Prokurorial, përbën sulm të drejtpërdrejtë në punën e këtij institucioni dhe kërcënim për sigurinë juridike.
Hajdaraj tha se Besim Kelmendi ka mundur të ndjek të gjitha rrugë ligjore ndaj kujtdoqoftë e jo të dalë në konferencë për shtyp për të shfaqur pretendime për presion, shantazh e forma tjera ndaj një prokurori brenda sistemit.
“Kësisoj ai nuk e ka kryer detyrën e tij sipas Kushtetutës dhe Ligjit, përkundrazi me këto veprime ka lëkundur seriozisht besimin e publikut në sistemin prokurorial”, u shpreh Hajdaraj.
Ai i bëri thirrje Qalajt që të shqyrtojë të gjitha pretendimet e Kelmendit, për të trajtuar dhe hetuar përgjegjësinë e gjithë personave të përfshirë në rast.
