Kryetari i Zveçanit, Ilir Peci, tash e dy javë pozitën e tij po e ushtron nga zyra e gjendjes civile në fshatin Lipë të kësaj komune.
I sapo zgjedhuri, që vjen nga PDK thotë se punën e fillon çdo ditë rreth orës 08:00 të mëngjesit dhe e mbyll deri në orën 16:00 të pasdites. Ndonëse po kundërshtohet nga qytetarët serbë të komunës që e drejton, Peci shprehet se agjendën e ka goxha të ngjeshur, njofton Klan Kosova.
Madje thekson se tashmë e ka formuar edhe kabinetin e tij, por pa treguar se kush dhe sa janë ata, veçse shpjegoi se së shpejti do t’i bëjë publikë emrat e tyre.
Kurse sa i përket drejtorive kreu i Zveçanit bën me dije se është në përfundim e sipër.
Por, një gjë është e sigurt dhe e konfirmuar nga ana e tij se tani është bërë me zyrtare për informim.
Ilir Peci i cili është zgjedhur më 23 prill në krye të Zveçanit, komunë kjo me shumicë serbe, vetëm ditën e premte të 26 majit hyri në objektin zyrtar komunal kur u tensionua dhe situata.