Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka thënë se asgjë nuk ka ndryshuar sa i përket prioriteteve në raport me dialogun me Serbinë.
“Prioriteti kryesorë vazhdon të mbetet sigurimi i vaksinave dhe luftimi i pandemisë. Ne nuk jemi kundër dialogut. Ne jemi për dialog të përgatitur mirë dhe me parime, me kornizë të përcaktuar paraprakisht ashtu që të dihen synimet e këtij procesi”, u shpreh Kryeziu.
Ai ka shtuar se është shumë e pritshme që ndërkombëtarët të kërkojnë dialog me shtetin e Serbisë.
“Është brenda përgjegjësive të tyre që të kërkojnë vazhdimin e dialogut. Qeveria e Kosovës është e gatshme që të mbrojë interesat e shtetit të dialog”, tha ai.
Kryeziu tha poashtu se kjo qeveri e ka dialogun me seriozitet për dallim nga qeveritë e më parshme.
“Qeveria është duke ja dhënë seriozitetin e nevojshëm trajtimit të dialogut. Deri më tani dialogu vazhdimisht është trajtuar me prioritet por jo me seriozitet”, tha ndër të tjera zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, transmeton Telegrafi.