Misioni i KFOR-it në Kosovë kanë folur rreth kërkesave që vijnë nga palë të ndryshme që kjo forcë e NATO-s ta marrë kontrollin e veriut pas sulmit terrorist të ndodhur më 24 shtator, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.
Nga KFOR kanë thënë se si rezultat i tensioneve që ndodhen në fillim të këtij viti, në Kosovë ishin dislokuar 500 trupa turke nga forca rezervë operacionale e NATO-s për Ballkanin Perëndimor, forca të cilat KFOR tregon që në shtator janë zëvendësuar nga trupat bullgare dhe greke.
Nga KFOR-i potencojnë se “forcat rezervë shtesë janë në nivel të lartë gatishmërie”.
Tutje kanë përmendur edhe vendimin e Këshillit të Atlantikut të Veriut për vendosjen e forcave shtesë në Kosovë pas sulmit të 24 shtatorit.
200 trupat britanike që do të vijnë në Kosovë, KFOR bën të ditur se do të pasohen me përforcime të tjera nga aleatët.
“Trupat janë tërhequr nga rezerva strategjike e NATO-s për Ballkanin Perëndimor. Mbretëria e Bashkuar po vendos rreth 200 ushtarë nga Batalioni i Parë i Regjimentit Mbretëror të Princeshës së Uellsit për t’iu bashkuar një kontingjenti prej 400 trupash të Mbretërisë së Bashkuar që tashmë po ushtrohet në Kosovë, dhe përforcime të mëtejshme do të pasojnë nga aleatët e tjerë“, kanë potencuar për Express.
Ky vendim për shtim të trupave nga KFOR thonë se vjen pas sulmit të dhunshëm ndaj Policisë së Kosovës dhe theksojnë se varësisht nga situata do të rregullojnë praninë e tyre.
“Ky është një hap i kujdesshëm për të siguruar që KFOR-i ka forcat, aftësitë dhe fleksibilitetin e nevojshëm për të përmbushur mandatin e tij të OKB-së për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë. KFOR-i do të vazhdojë të veprojë në mënyrë të paanshme për të mirën e sigurisë në Kosovë dhe në rajon. KFOR-i do të vazhdojë të rregullojë qëndrimin e tij, sipas nevojës”, kanë shtuar tutje.
Si rezultat i zhvillimeve të fundit, misioni i NATO-s ka theksuar se kanë shtuar gjithashtu praninë dhe aktivitetin në veri të Kosovës.
Sa i përket kërkesave për marrje të kontrollit të veriut, nga KFOR kanë bërë të qartë se mandati i tyre s’përfshinë zbatimin e ligjit dhe se kjo mbetet një kompetencë ekskluzive e Policisë së Kosovës.
“Mandati i KFOR-it në OKB është i qartë dhe nuk përfshin zbatimin e ligjit. Kjo mbetet një prerogativë ekskluzive e Policisë së Kosovës“, kanë potencuar nga KFOR për Express.
Në fund, KFOR bën thirrje që Kosova dhe Serbia të riangazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-jë meqë është e vetmja mënyrë për të arritur paqe dhe stabilitet të qëndrueshem për të gjitha komunitetet.
“Ne i bëjmë thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të riangazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, i cili është mënyra e vetme për të arritur paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm për të gjitha komunitetet. Të gjitha palët duhet gjithashtu të përmbahen nga retorika nxitëse, e cila është kundërproduktive dhe rrezikon përkeqësimin e mëtejshëm të tensioneve“, kanë thënë nga KFOR-i.
Serbia pas sulmit terrorist ka kërkuar që KFOR-i të merret me situatën e sigurisë në Veri të Republikës së Kosovës.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pas tensionimit të situatës në veri të Kosovës ka deklaruar se “KFOR duhet të marrë në kontroll veriun e Kosovës. Çdo hezitim apo vonesë vështirëson të nesërmen”.
Rama ndërkohë ka deklaruar se kjo ka qenë edhe kërkesë e presidentes Vjosa Osmani. Megjithatë nga Zyra e Presidencës kanë sqaruar se kanë kërkuar nga KFOR-i përkrahje për institucionet e Kosovës, por jo marrje të kompetencave.
Ambasadori gjerman, Jorn Rohde dhe as ish-zëdhënësi i NATO-së, Jamie Shea, s’e kanë përkrahur idenë që KFOR-i të marrë kontrollin e Veriut.
Ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ka deklaruar se diçka e tillë do ta kthente Kosovën para 17 shkurtit 2008.