Gjykata e Apelit ka anuluar vendimin e Themelores në Prishtinë, kundër Fethi Uygur, Alajdin Ramadani, Filip Mishevski, Erol Marku, Alban Maloku, Ertan Daçiq dhe Milazim Voci, lidhur me kultivimin e 2059 bimëve të llojit kanabis sativa, si dhe 32 kilogramëve substanca tjera të narkotikëve, duke e kthyer rastin në rigjykim.
Me 2 maj 2024, Departamenti Special në Prishtinë kishte shpallur fajtorë të akuzuarit duke i dënuar me 28 vite burgim dhe mbi 50 mijë euro gjobë.
Ndërkohë, Gjykata e Apelit ka aprovuar si të bazuar ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Me aprovimin e ankesave të mbrojtësve të të akuzuarve F.U., av.Fitim Shporta A.R, av.Sarandë Beqiri, E.M., av.Alberina Foniqi-Bojaj, E. D., av.Muhamet Hoxha dhe M.V., av.Leutrim Himaj dhe sipas detyrës zyrtare ANULOHET aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, PS.nr.50/22 i datës 02.05.2024 dhe çështja kthehet në rigjykim dhe vendosje”, thuhet në dispozitivin e parë të aktgjykimit të Apelit.
Kundër këtij vendimi, mbrojtësit e të akuzuarve, avokati Shporta, Beqiri, Foniqi-Boja, Hoxha dhe Himaj kishin kanë parashtruar ankesë, të cilën Apeli ka aprovuar si të bazuar.
Ndërkaq, ankesën e Prokurorisë Speciale e Republikës së Kosovës, si dhe ankesat e mbrojtësve të akuzuarve Mishevski, avokates Fehmije Gashi-Bytyçi dhe Malokut, avokatit Besim Curri, tani për tani janë konsideruar si jo lëndore.
Sipas ankesës së Prokurorisë Speciale thuhet që Gjykata e shkallës se parë me rastin e shqiptimit të dënimit tek të akuzuarit nuk ka gjetur asnjë rrethanë rënduese por ka marrë parasysh vetëm rrethanat lehtësuese përkundër shkallës së përgjegjësisë, pasojave të veprave penale, duke konsideruar se lartësia e dënimit me burgim dhe dënimit me gjobë te shqiptuar ndaj të akuzuarve, është mjaftë e ulët dhe jo adekuate.
Sipas, ankesës së të akuzuarit Uygur, avokatit Shprota, pretendohet që aktgjykimi i ankimuar është i përfshire në shkeljet esenciale te dispozitave te procedurës penale, ngase dispozitivin i aktgjykimit është i pakuptueshëm, i paqarte ne kundërthënie me vetveten dhe me brendinë e saj.
Po ashtu, bazuar në mbrojtjen vendimi i Themelorës përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe vërtetimit te gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.
Kurse, sipas mbrojtjes së Ramadanit, avokates Beqiri, si dhe mbrojtjes së Malokut, avokatit Curri, thuhet që Gjykata ka aplikuar dispozitat e gabuara në rastin e vlerësimit sa i përket lartësisë së dënimit, pasi që në pjesën e arsyetimit Gjykata i referohet nenit 75 i cili ka të bëjë me ashpërsimin e dënimit.
Ndërsa në pjesën hyrëse i referohet dispozitave që kanë të bëjnë më lehtësimin e dënimit, marrë parasysh faktin që i mbrojturi i saj ka pranuar fajësinë për veprën “prodhimit dhe përpunimit të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope, analoge apo veglave, pajisjeve apo materialeve narkotike”.
Po ashtu, edhe sipas mbrojtjes së Mishevskit, avokates Fehmije Bytyqi, Gjykata e shkallës së pare nuk ka aplikuar drejtë dispozitat lidhur me matjen e lartësisë së dënimit, asi që edhe i mbrojturi i saj ka pranuar fajësinë.
Ndërsa, mbrojtja e Markut, avokatja Foniqi – Bojaj, ka thënë që vendimi i Themelores ka bërë shkelje të dispozitave ligjore, si pasojë e mos vërtetimit të plotë të provave dhe se në asnjë provë nuk është dëshmuar se i mbrojturi i saj ka kryer veprën për të cilën akuzohet.
Kurse, sipas mbrojtësit të Daçiqit, avokatit Hoxha, në ankesë thuhet që gjykata nuk ka administruara se i akuzuari është penduar për veprimet e tija si dhe nuk është vërtetuar se i akuzuar të këtë kryer vapën penale me dashje apo me vullnetin e tij.
Si dhe sipas ankesës së mbrojtësit të Vocit, avokatit Himaj thuhet që vendimi i gjykatës së shkallës së parë me provat që i ka listuar për gjate shqyrtimit gjyqësorë nuk ka arritur që ti argumentoj relevance e këtyre provave ne raport me te pandehurin
Sipas, arsyetimit të Apelit, gjykata gjeti se vendimi i Themelores është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të KPPRK-së, për shkak se fillimisht në marrjen e aktgjykimit ka marrë pjesë gjyqtari i cili nuk ka qenë i pranishëm në shqyrtim gjyqësor.
Tutje, sipas arsyetimit të Apelit aktgjykimit të Themelores i mungojnë arsyet për faktet vendimtare, përkatësisht nuk janë dhënë arsye të qarta lidhur vlerësimin e gjendjes së fakteve të vërtetuara me provat e administruara.
Gjykata e Apelit gjen se në marrjen e aktgjykimin ankimuar ka marrë pjesë gjyqtari i cili nuk ka qenë i pranishëm në shqyrtim gjyqësor. Në këtë çështje në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, shqyrtimi gjyqësor ka filluar me datë 12 maj 2023. Trupi gjykues ka qenë i përbërë nga tre (3) gjyqtarë, Vesel Ismaili si kryetar i trupit gjykues, Suazana Çerkini dhe Violeta Namani – Hajra anëtarët e trupit gjykues.
Ndërsa në seancën e shqyrtimit gjyqësor të datës 15 dhjetor 2023, Gjyqtarja Suzana Çerkini është zëvendësuar me Gjyqtarin Kujtim Krasniqi, për shkak se e njëjta është rizgjedhur si udhëheqëse e degës në Fushë Kosovë.
Me zëvendësimin e gjyqtares Çerkini, me gjyqtarin Krasniqi shqyrtimi ka vazhduar me fazat e tjera të procedurës penale.
“Shqyrtimit gjyqësor pastaj ka vazhduar me administrimin e provave materiale dhe pastaj seancat tjera të shqyrtimit gjyqësor kanë pasuar me mbrojtjen e të akuzuarave dhe fjalën përfundimtare, deri në marrjen e aktgjykimit, pra sikur që ka qenë njëjti trup gjykues nga fillimi i shqyrtimit gjyqësor”, thuhet ne vendimin e Apelit.
Sipas arsyetimit të Apelit, kolegji i rikujton Themelorës se, zëvendësimi i një anëtari të trupit gjykues nuk është rreptësisht i ndaluar, por në rast të ndryshimit të përbërjes së trupit gjykues shqyrtimi gjyqësor patjetër pa ndonjë zgjedhje tjetër duhet të fillojë rishtas nga fillimi me leximin e aktakuzës, apo të merret mendimi i palëve në procedurë dhe të gjitha deklarata dhe provat e administruara të konsiderohen si të lexuara.
Tutje, sipas arsyetimit të Apelit, në rastin konkret në shqyrtimin gjyqësor kur është zëvendësuar gjyqtari nuk është vepruar në këtë mënyrë, përkatësisht nuk është zbatuar neni 307 par.1 i KPP-së, pra nuk është filluar shqyrtimi rishtas por ka vazhduar sikur të ishte shtyrë para të njëjtit trupit gjykues, gjë që kjo mënyrë e cenon edhe parimin e drejtpërdrejtë.
Gjithashtu, përpos kësaj Apeli gjeti se aktgjykimit ankimuar është i përfshirë edhe në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale për shkak aktgjykimit i mungon plotësisht arsyetimi lidhur me pranimin e fajësisë dhe shpalljen fajtor të të akuzuarve të poshtë shënuar.
Kjo pasi që, në aktgjykimin e ankimuar në faqen 34 ka konstatuar se “… të akuzuarit A.R, F. M., E.M., A.M. dhe E. D., në të gjitha fazat e procedurës penale kanë pranuar fajësinë për kryerjen e veprës penale siç është e përshkruar në dispozitiv të këtij aktgjykimi”, mirëpo në aktgjykim mungon tërësisht arsyetimi se në cilën fazë të procedurës përkatësisht kur bërë ky pranimi i fajësisë nga ana e të akuzuarve, thuhet në vendimin e gjykatës së shkallës së dytë.
Tutje, Apeli thekson se, duke u bazuar në shkresat e lëndës, procesverbalet e shqyrtimeve gjyqësore që janë mbajtur pranë gjykatës së shkallës së parë, Apeli ka gjetur që është nuk bërë pranimi i fajësisë nga ana e të akuzuarve dhe të jetë miratuar pranimi i fajësisë apo për më tepër të jetë vlerësuar pranimi i fajësisë nga gjykata e shkallës së parë.
Po ashtu, në vendim thuhet që se konstatimi i gjykatës së shkallës së parë për pranimin e fajësisë nga të akuzuarit është hipotetik, pasi ata u shpallën fajtorë për një vepër penale të rikualifikuar, e cila nuk ishte objekt shqyrtimi gjyqësor. Të akuzuarit nuk janë deklaruar për këtë vepër specifike, ndaj nuk mund të thuhet se ata e kanë pranuar fajësinë.
Gjithashtu, Apeli thekson se aktgjykimi është përfshirë edhe në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, pasi që në të mungojnë arsyet për faktet vendimtare, përkatësisht nuk janë dhënë arsye të qarta lidhur vlerësimin e gjendjes së fakteve të vërtetuara me provat e administruara.
Si sugjerim, në vendimin e Apelit theksohet që gjykata e shkallës së parë duhet që ta caktoi edhe një herë shqyrtimin gjyqësor dhe t’i evitoi të gjitha shkeljet e lartcekura, ku pas administrimit të serishëm të të gjitha provave, duhet të marrë një vendim të drejtë, të ligjshëm dhe të arsyetuar mjaftueshëm për çdo pikë të aktgjykimit duke pasur parasysh edhe parim “Reformatio in Peius” në raport me kualifikimin e veprës penale, ashtu siç është parashikuar me dispozitat përkatëse ligjore.
Ndryshe, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë kundër Fethi Uygur, Alajdin Ramadani, Filip Mishevski, Erol Marku, Alban Maloku, Ertan Daçiq dhe Milazim Voci të cilët akuzohen për krim të organizuar, me pretendimin se që nga koha e pacaktuar e deri më 16 shkurt 2022, duke vepruar si grup i organizuar, nën udhëheqjen e Fethi Uygur, kanë kultivuar hashash në laboratorin brenda objektit Mulliri “Voci 1”, në fshatin Shirokë, komuna Suharekë.
Prokuroria ngarkon 7 të akuzuarit me veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” lidhur me “Blerja, posedimi, shpërndarja, dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” si dhe kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”. /Betimi për Drejtësi/