Policia e Kosovës tashmë po zhvillon aksione për gjetjen dhe konfiskimin e pajisjeve për kriptovaluta.
Kjo pasi për shkak të krizës energjetike, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për ndalimin e prodhimit të monedhave digjitale.
Në lidhje me këtë çëeshtje zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, ka treguar se pajisjet e konfiskuara po ruhen në depon e Doganës, në Merdarë.
“Kemi pasur rreth 500 pajisje të tilla të konfiskuara, realisht arsyeja pse i kemi konfiskuar është se të gjitha ato pajisje kanë qenë pa taksa doganore, janë futur ilegalisht në Kosovë”, ka deklaruar Stavileci.
Në mesin e këtyre pajisjeve ka edhe të tilla që nuk janë përdorur fare. Por, këto pajisje në Merdarë, me shumë gjasë i pret shitja.
“Në përgjithësi mallrat e konfiskuara i nënshtrohen shitjes së mëtejme, por presim edhe udhëzime edhe nga ana e Prokurorisë në pyetje me këto mallra”, ka deklaruar Stavileci.
Prodhimi i kriptovalutave është ndaluar në Kosovë që nga fillimi i këtij viti, me një vendim të nxjerrë nga Ministria e Ekonomisë, i cili obligon organet e rendit që të sekuestrojnë kudo ku hasin pajisje për prodhimin e monedhave digjitale. /Gazeta Enigma/.