Kur do të vaksinohemi me dozën e katërt antiCOVID, flasin ekspertët e shëndetësisë

Kur do të vaksinohemi me dozën e katërt antiCOVID, flasin ekspertët e shëndetësisë

Edhe pse ka shumë qytetarë në Kosovë që ende nuk janë vaksinuar me dozën e parë të vaksinës antiCOVID, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik i ka propozuar Ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia që të ketë në konsideratë edhe dhënien e dozës së tretë të vaksinë antiCOVID, shkruan Gazeta ‘Enigma’.

Gjatë kësaj jave në një konferencë për medie Vitia ka thënë se kanë filluar diskutimet me kompanitë prodhuese për sigurimin e 1 milion vaksinave shtesë, në mënyrë që të filllojnë dhënien e vaksinës së tretë antiCOVID.

Ministër i Shëndetësisë, Arben Vitia

“Do të kemi në konsideratë edhe administrimin e dozës së tretë sipas rekomandimeve të fundit që na kanë ardhur nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, kurdo që shihet kjo e domosdoshme, sidomos kjo vlen për grupet më të ndjeshme të popullatës. Grupi negociues në Ministrinë e Shëndetësisë ka filluar negocimin me kompanitë prodhuese për sigurimin edhe të 1 milion vaksinave tjera për këtë gjë për vitin tjetër”, ka thënë ai.

Vitia ka thënë se rreth katër mijë vaksina janë administruar te gratë shtatzëna dhe nënat gjidhënëse.

“Deri tani janë administruar rreth 4 mijë doza te gratë shtatzëna dhe nënat gjidhënëse. Në Kosovë, procesi i vaksinimit ka përfshirë personat mbi 16 vjeç tani siç jeni informuar sikurse edhe fëmijët e moshës 12-15 vjeçare me indikacione mjekësore apo imunitet të komprometuar. Në mënyrë të veçantë i bëjmë thirrje të rinjve, sidomos shtatzënave dhe nënave gjidhënëse që të vaksinohen sepse tani më ka dëshmi të mjaftueshme shkencore”, ka thënë ai.

Ndërsa të tjera, Vitia është shprehur se aktualisht në stoqe janë edhe 600 mijë vaksina, andaj edhe u ka bërë thirrje qytetarëve që të caktojnë terminet e të vaksinohen.

Infektolog, Florim Ademaj

Infektologu, Florim Ademaj në një përgjigje për Gazetën ‘Enigma’, ka thënë se përveç vaksinës së tretë antiCOVID, pritet që të jepet edhe doza e katërt.

“Mendoj që duhet të vaksinohemi sa më shpejt edhe dozën e tretë të vaksinës antiCOVID, por ka mundësi që edhe me dozën  e katërt në fund të vitit të ardhshëm”, është shprehur ai.

Ademaj, tutje ka thënë se edhe pas vaksinimit kemi rënje të antitrupave, ku për këtë arsye duhet të vazhdohet me dozat tjera të vaksinës antiCOVID.

“Po duke parë situatën e pacientëve në spitale që janë të shtrirë dhe duke përcjellur gjendjen e tyre pas daljes nga spitali, duke parë edhe pacientët ambulantor, duke u bazuar në analizën sereologjike, kemi rënie të antitrupave mbrojtës me kalimin e kohës”, ka thënë Ademaj.

Në fund Ademaj ka shtuar se këtë e thotë si profesionist i bindur, gjithmonë nga gjendja e pacientëve.

Ministria e Shëndetësisë

Ndryshe, Ministria e Shëndetësisë, përmes një komunikate për medie, kanë bërë të ditur se në Kosovë kanë arritur numri prej 1 milion doza të vaksinave të administruara.

“Është shumë e rëndësishme që të mbajmë ritmin pozitiv të vaksinimit, sepse vetëm në këtë mënyrë do të arrijmë ta mposhtim virusin”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e MSH-së.

Po ashtu, MSH ka falënderuar ekipet e vaksinimit për punën e bërë deri më tani.

“1 MILION vaksina te administruara. Mirënjohje ekipeve të vaksinimit për punën e çmuar dhe besimin e patundur për të arritur këtë nivel të trendit të vaksinimit në një kohë të pazakontë. Le të i bashkojmë thirrjet tona për të afërmit e më të dashurit tonë, që të rezervojnë një termin për vaksinim sa më herët që është e mundur” “Tash kur e kemi të njohur se vaksina zvogëlon dukshëm simptomat e rënda të sëmundjes dhe vdekjen, dhe kështu probabilitetin e infektimit indirekt të njerëzve të tjerë, pa e ditur, akti më moral dhe më i përgjegjshëm është i qartë: VAKSINIMI”, thuhet në njoftimin e MSH-së. /Gazeta Enigma/

Related Articles