Marrëveshja e bashkëpunimit për burgjet pritet të nënshkruhet së shpejti në mes të Kosovës dhe Danimarkës. Pas kësaj, janë dy vjet afat për institucionet e vendit që të bëjnë përshtatjen e burgut të Gjilanit me rregullat daneze.
Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani deklaron se në fillim do të pranohen 100 të burgosur.
Në dhjetor të vitit 2021, dy shtetet kanë nënshkruar letër-pëlqimin për dërgimin e 300 të burgosurve nga shteti danez, në burgun e Gjilanit.
Më vonë, në maj të vitit 2024, Kuvendi i Kosovës e ratifikoi marrëveshjën e cila i jep me qira burgun, shtetit danez.
Drejtori i burgjeve të Kosovës thotë se së shpejti pritet edhe nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit mes të dyja vendeve.
Traktati, me kohëzgjatje prej 10 vjetësh, parasheh që Kosova t’i përfitojë rreth 200 milionë euro të cilat, ndër të tjera, do të destinohen për Shërbimin Korrektues.
Dibrani bën të ditur se ka pasur kërkesa edhe nga Belgjika e Britania e Madhe për marrëveshje të tilla.
Ndër të tjera, në intervistën për KosovaPress, ai thotë se këtë vit janë paraparë 15 milionë euro buxhet për investime kapitale, ku edhe është paraparë ndërtimi i disa burgjeve.
Sfidë kryesore për burgjet e Kosovës, thotë ai, mbetet numri i madh i rasteve psikiatrike dhe i përdoruesve të drogave.
Në raste të kontrabandimit, Dibrani thotë se të dënuarit i humbin të gjitha privilegjet dhe dënimi për këta persona fillon nga zero.
Vitin e kaluar, Faton Hajrizi ishte arratisur nga burgu i Smrekonicës, ku më pas u dyshua për vrasjen e një polici serb dhe plagosjen e një tjetri në Lloznicë të Serbisë.
Një ditë më pas, ai u vra nga autoritetet e Serbisë.
Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani thotë se me këtë rast po merret prokuroria.
Dibrani tregon se gjatë vitit 2025 do të fillojë ndërtimi i burgut të Prizrenit, burgut të grave në Lipjan si dhe do të bëhet zgjerimi i kapaciteteve të Institutit të Psikiatrisë Forenzike.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Shërbimi Korrektues i Kosovës është pranuar në Rrjetin Evropian të Burgjeve – EuroPris. Drejtori i burgjeve thotë se Kosova është shteti i parë i cili është anëtarësuar pa qenë anëtar i Këshillit të Evropës, ku sipas tij do të ketë përfitime të programeve, financim të pajisjeve e vizita të shumta.