Vullnet Bugaqku,nga KDI, ka deklaruar se seanca për votimin e Glauk Konjufcës si mandatar për kryeministër mund të mbahet më 19 nëntor 2025, nëse Kuvendi shfrytëzon në tërësi afatin 15 ditor për thirrjen e seancës.
“Nëse shfrytëzohet në tërësi afati 15 ditor, atëherë seanca duhet të mbahet me datë 19 nëntor 2025”, tha Bugaqku.
Por, gjasat që Glauk Konjufca, mandatar për kryeministër i emëruar nga presidentja Vjosa Osmani, të formojë Qeverinë e re të Kosovës, duken minimale.
Partitë ish-opozitare – Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate – e kanë bërë të qartë se nuk do ta mbështesin një qeveri të udhëhequr nga Konjufca.
Qëndrimi i tyre u shpall publikisht edhe para se presidentja Osmani ta mandatonte zyrtarisht atë më 4 nëntor.
