Kurbeti zbraz futbollin e Kosovës, shumë klube preken nga ky fenomen

Kurbeti zbraz futbollin e Kosovës, shumë klube preken nga ky fenomen

Ikja nga Kosova që një kohë të gjatë është shndërruar në një fenomen të cilit nuk po mundet t’i gjendet zgjidhje nga Qeveria Kurti, por as nga qeveritë e mëparshme.

Mijëra qytetarë janë larguar nga Kosova për arsye të ndryshme, por ajo më kryesorja për një jetë më të mirë.

Ikja e këtyre qytetarëve nga Kosova ka bërë që ta tkurr popullsinë e vendit tonë. Madje, në bazë të statistikave zyrtare që nga viti 2013 deri në 2022, gjithsej 252 mijë njerëz kanë zgjedhur të largohen nga Kosova.

Shumica e këtyre personave të larguar kanë zgjedhur botën perëndimore, me theks të veçantë në vendet Europiane, por duke mos i përjashtuar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku cilësia e jetesës është e lartë.

Sipas  ASK-së gjatë viteve 2013-2022, 252 mijë persona (matje bruto) kanë emigruar legalisht ose ilegalisht nga Kosova.

Nga emigrimi i mijëra qytetarëve për në vendet perëndimore janë prekur shumë sektor si ai i shëndetësisë, ndërtimtarisë, gastronomisë dhe ai i futbollit.

Futbolli është sporti me i popullarizuar në Kosovë, ku ka një vëmendje të veçantë, sidomos te meshkujt, por nuk mungojnë edhe klubet dhe kombëtaret në kategorinë e vajzave, por është duke u prekur më të madhe efekti i emigrimit te ky sport.

Shumë futbollistë profesional, po zgjedhin të largohen nga Kosova duke e lën futbollin, për një jetë më të mirë jashtë vendit, pasi nuk po shohin të ardhme që mundet me i siguru financa të mjaftueshme që ta ketë një jetë normale në vendin e tyre pasi të pensionohen.

Kapiteni i Llapit, Bujar Idrizi, sezonin 2022/2023 e nisi me Llapin, por nuk e përfundoi, pasi më 28 dhjetor të vitit 2022 njoftoi se do të largohet nga skuadra nga Podujeva, për ta vazhduar jetën në Gjermani.

Përveç klubeve të Superligës, klubet të cilat janë të prekura më shumë nga largimi i futbollistëve janë ato të një rangu më të ulët si Liga e Parë, Liga e Dytë dhe Liga e Tretë.

Përveç futbollistëve që po largohen nga ekipet seniore, ato që po preken më së shumti janë shkollat e futbollit. Shumë fëmijë të cilët e nisin ëndrrën e tyre për t’u bërë futbollist, nuk po arrijnë ta vazhdojnë, pasi po iu duhet që të largohen nga Kosova me prindërit e tyre për një jetë më të mirë, por është në dyshim se a mund që ta vazhdojnë ëndrrën e tyre për t’u bërë futbollist.

Ish-futbollisti i SC Gjilanit, tani trajner i KF Dardanës 10 dhe i shkollës së futbollit me të njëjtin emër, Rasim Rahimi në një bisedë për Gazetën Enigma, ka rrëfyyer se si po pakësohet numri i nxënsëve në shkollën dita e ditës  si pasoj e ikjes së qytetarëve nga Kosova.

Rahimaj tregon se shkolla e tij futbollit Dardana 10 më herët i kishte 150 nxënës, kurse tani i ka 80, plotë 70 nxënës më pak, si pasoj e fenomenit të ikjes së qytetarëve nga Kosova.

Fenomeni i ikjes së qytetarëve nga Kosova është i dukshëm e sidomos komuna jonë (Kamenica) është i prekur shumë nga ku trend. Ne si shkollë e futbollit punojmë qe 12 vite dhe kemi pasur afërsisht deri 150 nxënës (lojtarë) ndërsa tani kemi afërsisht 80”, rrëfen Rahimaj për Gazetën Enigma.

Ai tregon se ka raste të shpeshta që futbollistët që janë larguar kërkojnë vërtetime për vitet e kaluara në shkollën e futbollit pasi dëshirojnë ta vazhdojnë ëndrrën e tyre për t’u bërë futbollistë në shtetin në të cilin janë duke jetuar.

Kemi raste të shpeshta kur fëmijët kërkojnë vërtetim për kohën (vitet) e kaluar në futboll në shkollën tonë që ta kenë si dëshmi në ndonjë ekip tjetër të shteteve ku kanë shkuar për të jetuar dhe të cilët pretendojnë ta vazhdojnë karrierën e tyre sportive”, tregon ai.

Trajneri i shkollës së futbollit Dardana 10, Rasim Rahimaj


Sipas Rahimajt, qytetarët po largohen nga vendi për ta kërkuar një jetë më të mirë. Ai thotë se trendi i largimit nga Kosova e ka prekur shumë shkollën e tij të futbollit.

Me bindje të plotë e them se qytetarët janë duke u larguar nga vendi si pasojë e gjendjes ekonomike e sociale për të kërkuar një jetë më të mirë dhe mendojë që kjo ka ardhur nga zhgënjimi i popullit prej gjitha qeverisjeve te pasluftës të cilat si duket kanë bërë shumë pak për popullin e më shume për veten dhe familjarët e tyre.Si shumë sektorë tjerë edhe atë sportiv e edhe neve si shkollë e futbollit na ka prekur shumë ky trend i largimit të futbollistëve jashtë vendit”, thotë Rahimaj për Gazetën Enigma.

Rahimaj shprehet tejet i shqetësuar se nëse vazhdon ky trend i ikjeve, ai do ta ketë problem që t’i vazhdoj garat me gjeneratat U13, U15 dhe U17 me shkollën e tij të futbollit.

Trendin i largimit të popullit nga Kosova e në këtë rast futbollistëve është shumë shqetësues dhe nëse vazhdohet kështu në një të ardhme të afërt do të jetë e vështirë të formojmë ekipet e grupmoshave (u13,u15,u17) dhe për të funksionuar si klub”, potencon ish-futbollisti i SC Gjilanit.  

Trajneri Rasim Rahimaj thotë se shteti duhet që të punoj duke mos e lejuar zbrasjen e Kosovës, mirëpo ai shprehet skeptik se mund të arrihet një gjë e tillë.

Mendojë që nga shteti të ketë mbështetje më të madhe duke tentuar përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe kjo të ketë ndikim edhe te sportistët  që mos të largohen nga shteti i tyre por kjo do të jetë e vështirë dhe jam shume skeptik se mund të binden qytetarët të mos largohen nga vendi jonë në shtetet e tjera duke e lënë Kosovën e zbrazët”, thotë ai i dëshpëruar për gjendjen që po mbretëron në Kosovë.

Endrit Hoxha nga Rahoveci, thotë se ëndrra e tij ishte që i vogël ishte që të luante futboll profesional, por kjo gjë nuk u realizua kurrë dhe mbeti vetëm ëndërr për të.

Të gjithë e dimë që Kosova është një shtet i ri dhe ka shumë prioritete tjera para futbollit. Si i vogël futbollin e kam dashur shumë dhe ende e kam atë dashni për të. Si çdo fëmijë që ka ëndrrat e tij edhe për mua futbolli ishte ëndrra ime, kjo e cila mbeti vetëm një ëndërr, pasi nuk arrita të luaj në nivele të larta të futbollit profesional”, thotë Endrit Hoxha për Gazetën Enigma.

Hoxha tregon se ëndrrën për t’u bërë futbollist e nisi te skuadra e KF Dejnit nga Rahoveci, mirëpo aty nuk arriti të tregoj shumë, pasi iu desht edhe t’i kryente studimet.

Shumë moshtar të mi, talent të futbollit nuk u bën futbollist profesional, pasi iu desht që ta ndërpresin për ta vazhduar jetën në profesione të tjera, unë nuk u dorëzova dhe vazhdova ëndrrën time duke nisur të luaj futboll në Ligën e Dytë të futbollit kosovar me ekipin KF Dejni”, rrëfen ai për Gazetën Enigma.

Endrit Hoxha

28-vjeçari nga Rahoveci pas një pauze një-vjeçare nga futbolli kosovar jetën vendosi ta vazhdonte në Gjermani. Pas zhvendosjes në Gjermani, Hoxha u interesua menjëherë që ta vazhdonte futbollin atje.

Te KF Dejni nuk munda të tregoj shumë sukses, sepse isha i angazhuar edhe në studime dhe pauzova për një vit nga futbolli kosovar. Pas puazës një-vjeçare mu dha një mundësi që ta vazhdoj jetën në Gjermani. Me të mbërritur atje u interesova që të inkuadrohem në futboll, duke e ditur se atje do të vlerësohesha në bazë të meritave, rezultateve që do t’i tregoja në fushë”, tregon Hoxha.

Atij iu kishin dashur vetëm 45 minuta për ta bindur skuadrën gjermane FC Reflexa që të nënshkruanin me të. Hoxha në debutimin e tij i kishte shënuar tre gola duke e bindur trajnerin e kësaj skuadre që të nënshkruante me të.

Aplikova në njërën prej ekipeve që luan sot në Ligën Regjionale të Republikës së Bavarisë, pas shumë testeve stërvitore që i pata, më erdhi mundësia të debutoj me një miqësore. Rezultati i pjesës së parë ishte 0-0, trajneri i FC Reflexa më inkuadroi në pjesën e dytë ku i shënova tre gola duke i bindur që të jem pjesë e atij ekipi, që nga ajo ditë deri më sot i mbroj ngjyrat e këtij ekipi”, tregon ai.

Pas një sezoni fantastik me FC Reflexan, në drejtim të Hoxhës kishin ardhur oferta nga klube të tjera, por ai kishte vendosur t’i qëndroj besnik klubit gjerman.

Pas një sezoni me FC Reflexan, pata shumë oferta nga klubet tjera, por vendosa të qëndroj këtu, për shkak të punës që e bëj të njëjtën kohë. Ajo që dua të them se në Gjermani vlerësohet puna e juaj, dhe nuk ka probleme ekonomike apo politike, krejt ç’ka duhet të bësh është të mendosh për futboll”, tregon ai.

Krejt në fund, Endrit Hoxha ka një mesazh për institucionet e Kosovës.

Në Kosovë për shkak të problemeve ekonomike, politike, talentët e futbollit e kanë të vështirë të kalojnë në futbollin evropian, ëndërr e çdo të riu. Prandaj, uroj që vendi ynë t’i forcoj strukturat udhëheqëse në çdo fushë, që t’i jap hapësirë rinisë dhe talentëve të rinj ta dëshmojnë veten në futbollin kosovar dhe atë ndërkombëtarë”, është mesazhi i një futbollisti i cili nuk mundi ta vazhdoj ëndrrën e tij si futbollist, por u detyrua të largohet për në Gjermani për një jetë më të mirë.

Fidan Kqiku, futbollist profesional që shtatë vite, tani luan për klubin e KF Kikës që bën gara në Ligën e Parë, thotë se fenomeni i largimit të qytetarëve nga Kosova ka prekur edhe bashkëlojtarët e tij, të cilët e kanë lën futbollin për ta vazhduar jetën e tyre në vendet perëndimore.

Unë jam pjesë e futbollit kosovar tasht e shtatë vite dhe mund të them që fenomeni i largimit të njerëzve për në përmendim është bërë më i shpeshtë dhe më i dukshëm në tri vitet e fundit. Natyrisht që ka pasur edhe raste të shumta ku edhe bashklojtarët e mij janë larguar nga Kosova për në shtetet e perëndimit”, thotë Kqiku për Gazetën Enigma.

Kqiku thotë se bashkëlojtarët e tij e kanë lën karrierën e tyre futbollistike për ta vazhduar jetën në vendet perëndimore së bashku me familjet e tyre.

Sa i përket asaj se pse po ndodh ky fenomen nuk mund ta them, pasi arsyet janë të ndryshme, mirëpo në rastin e shokëve të mij, të cilat e kanë lën karrierën e tyre futbollistike kanë shkuar për ta vazhduar jetën e tyre bashke me familje atje”, tregon ai.

Ai tregon se ka pasur raste që bashkëlojtart e tij e kanë lën karrierën e tyre futbollistike dhe janë nisur të vetëm drejt gurbetit për një jetë më të mirë.

Mirëpo, ka pasur edhe raste ku janë larguar të vetëm në drejtim të vendeve evropianë duke pretenduar për një jetë më të mirë dhe më të sigurt. Nuk dua të gjykoj pasi që edhe kushtet ku ne aktualisht luajm dhe stërvisim janë të vështira”, tregon ai.

/GAZETA ENIGMA/

Related Articles