Kurti: 10 Qershori 1878 s’është datë më pak e rëndësishme se 28 Nëntori dhe 17 Shkurti

10 Qershori 1878 për ne, shqiptarët, është një datë e themelimit, jo më pak e rëndësishme se datat e 28 Nëntorit dhe 17 Shkurtit, tha kryeministri i  Kosovës, Albin Kurti, në manifestimin që u mbajt në Prizren, për nder të 144-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit.

Siç thuhet në një komunikatë për media, në fjalën e rastit, kryeministri Kurti theksoi që Kuvendi në Prizren nisi si mbledhje e përfaqësuesve të krahinave shqiptare që rrezikoheshin drejtpërdrejt nga pushtimi prej shteteve ballkanike të kohës, që shqiptarët nuk i konsideronin si komb.

Kuvendi, sipas kryeministrit, nuk u mjaftua me masat ushtarake mbrojtëse, por shpalli se ai ishte kuvend përfaqësues i të gjithë shqiptarëve dhe jo vetëm i popullatës së disa krahinave, se shqiptarët ishin një komb, që do të thoshte se territori ku jetonin u takonte atyre dhe se vetëm ata mund të vendosnin për veten e tyre.

Shqiptarët po kërkonin vetëvendosje, të drejta të njëjta me kombet e tjerë të lirë të Evropës, po kërkonin vetëvendosjen përpara se kjo fjalë të kthehej në të drejtën e parë universale të popujve, tha kryeministri Kurti.

Ai nënvizoi se Kuvendi në Prizren dhe kuvendet e tjera të Lidhjes që u mbajtën në vijim dhanë mesazhin se shpëtimi nuk vjen nga jashtë. Nëse i var shpresat krejtësisht te shtetet e tjera, veten e konsideron objekt dhe nuk të mbetet tjetër veç t’iu përshtatesh interesave të të tjerëve, theksoi kryeministri Kurti.

Lidhja e Prizrenit është një program sepse, siç u shpreh  kryeministri, forcimi i shtetit dhe i sovranitetit është garancia më e mirë që ka një komb për sigurinë e tij, aleancat, zhvillimin ekonomik, bashkëpunimin e gjithanshëm ndërkombëtar dhe pjesëmarrjen në procese integruese rajonale, kontinentale dhe globale.

Kryeministri foli edhe për krizën e rëndë me të cilën po përballet sot kontinenti i Evropës, shkaku i agresionit dhe invazionit të paprovokuar dhe të pa justifikuar në Ukrainë.

Jo shumë larg prej nesh, kombi ukrainas po lufton për ekzistencën, lirinë, atdheun dhe shtetin e vet, tha kryeministri Kurti dhe shtoi se Rusia në vend që të bashkëpunojë për sigurimin e paqes në botë, po ringjall ëndrrat perandorake të fashizmit e komunizmit sovjetik.

Sot nevojitet solidariteti me viktimën dhe dënimi i agresorit. Nevojitet ndihma ndaj luftës çlirimtare dhe izolimi i agresorit, njëjtë si në vitet 1998-1999 kur NATO i erdhi në ndihmë popullit shqiptar të Kosovës, tha kryeministri.

Related Articles