Kurti: Çështja e kryetarëve të rinj, pretekst për dhunë nga shovinistët serbë

Kurti: Çështja e kryetarëve të rinj, pretekst për dhunë nga shovinistët serbë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në veri po shfrytëzohet si pretekst çështja e kryetarëve të rinj për të nxitur tensione “nga ata që s’e pranojnë shekullin 21 e Kosovën e pavarur”.

Në emisionin “Konfront” të KTV-së ai ka thënë se në veri të Kosovës shkalla e rrezikshmërisë është e lartë përreth ndërtesave të komunave, por jo edhe në vendbanimet tjera.

Protestat e dhunshme i ka cilësuar si “turma të shovinizmit serb”.

“Shkalla e rrezikshmërisë mund të thuhet që është e lartë rrotull ndërtesave të komunave. Ndërkaq, për vendbanimet e tjera në veri të Kosovës nuk ka diçka të pazakonshme. Kjo në fakt tregon që populli atje nuk është duke i bërë këto protesta, se populli bën protesta paqësore, por këto protesta janë protesta prej lart e jo prej poshtë. Duke qenë të dirigjuara e të dhunshme, në fakt nuk janë fare protesta, bëhet fjalë për turma të nacio-shovinizmit serb, të ekstremit të djathtë të cilët dëshirojnë pushtet e sovranitet që do të nënkuptonte asgjë më pak sesa nënshtrime dhe dorëzimin e Republikës demokratike”, ka thënë ai.

Sipas tij, aksioni i policisë nuk ka qenë nga dëshira por nga obligimi. Ai ka shtuar se obligimi ka ardhur pas thirrjeve për dhunë nga serbët.

“Përderisa ka turma të dhunshme e kriminale jashtë, përderisa vijnë njerëz me maska, bëjnë grafite kryqi me katër ‘S’-ja, e ‘Z’-ja e invazionit rus në Ukrainë, përderisa bërtasin për vëllazërinë e popullit serb dhe rus, përderisa kemi njerëz që hapur adhurojnë edhe Millosheviqin, edhe Putinin, natyrisht se njësia speciale duhet të jetë në ndërtesë të Komunës. Është papërgjegjësi nëse ne nuk do ta kishim njësinë speciale aty, prandaj edhe ne jemi të obliguar të bëjmë këtë që po bëjmë në një kurs të veprimeve ku pas mbajtjes së zgjedhjeve, pranimit të procesit, njohjes së rezultatit, betimit shumë të vakët pa kurrfarë triumfalizmi, fillon puna ku tjetër përveç se në objekte zyrtare publike të komunave përkatëse”, ka thënë ai.

Related Articles