Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka nisur mbledhjen e Qeverisë duke folur për 10-vjetorin e Procesit të Berlinit.
Kreu i ekzekutivit theksoi angazhimin e Kosovës për këtë nismë, e cila ka kontribuar në afrim të vendeve të rajonit me njëra-tjetrën dhe me Bashkimin Evropian, shkruan Gazeta Enigma.
“Ky proces ka qenë i suksesshëm dhe kemi nënshkruar marrëveshjen e pestë në tri samite. Gjithashtu, kemi paralajmëruar përfundimin e pritjes dyvjeçare për ratifikimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë me letërnjoftime nga Bosnja dhe Hercegovina, duke u mundësuar qytetarëve të saj të udhëtojnë në Kosovë nga 1 janari i vitit të ardhshëm,” deklaroi Kurti.
Kurti gjithashtu theksoi nënshkrimin e një marrëveshjeje të re për qasjen në arsimin e lartë, e cila lehtëson studimet për nxënësit dhe studentët në Ballkanin Perëndimor.
“Nënshkruam marrëveshjen e re për qasjen në arsimin e lartë dhe pranimin për të studiuar në Ballkanin Perëndimor që e nënshkruam në Berlin më 14 tetor është në vazhdimësi të marrëveshjes për njohjen reciproke të diplomave për institucioncet e arsimit të lartë. Një nxënës që sapo ka përfunduar shkollën e mesme apo një student që dëshiron të vijojë studimet master do ta ketë më të lehtë të fillojë studimet në institucionet publike të arsimit të lartë në njërin nga gjashtë vendet e Ballkanit Pernëdimor. Jemi mbështetës të palëkundur dhe anëtar fort aktiv i Procesit të Berlinit”, u shpreh Kurti.
Të gjitha marrëveshjet dhe deklaratat e miratuara gjatë samitit të Procesit të Berlinit u publikuan nga Kurti në rrjetin social “X”./GazetaEnigma/