Kurti deklarohet pas takimit me presidentin e Parlamentit të Saxony-Anhalt

Kurti deklarohet pas takimit me presidentin e Parlamentit të Saxony-Anhalt

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim Presidentin e Parlamentit të landit gjerman Saxony-Anhalt, Gunnar Schellenberger, raporton Gazeta “Enigma”.

Kurti me Schellenberger në këtë takim kanë biseduar për zhvillimet ekonomike, klimën investuese dhe mundësitë për thellim të bashkëpunimit mes dy vendeve.

Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit thuhet se Kurti e ka informuar mysafirin për progresin ekonomik gjatë mandatit të tij, duke theksuar se Kosova ka regjistruar “normat më të larta të rritjes ekonomike në Ballkanin Perëndimor”.

Po ashtu, ai ka theksuar politikat lehtësuese për investitorët vendas dhe të huaj, me fokus të veçantë në fushën e teknologjisë, duke potencuar se “vendi ynë po kthehet në një destinacion më tërheqës investimi”.

Temë diskutimi mes dy zyrtarëve ishin edhe politikat për ndërlidhjen e arsimit me tregun e punës, të cilat po zhvillohen në kuadër të strategjisë kombëtare për modernizimin e arsimit profesional në Kosovë, të frymëzuara nga modeli gjerman.

“Kryeministri Kurti theksoi dhe transformimin digjital si një shtyllë kryesore e agjendës sonë të reformave, teksa vlerësoi dhe përvojën e eksperiencën që mund të ndajë në këtë drejtim landi i Saxony-Anhalt, me shtrirjen e internetit me brez të gjerë në zonat rurale dhe administratën publike”, thuhet tutje në komunikatë.

Kreu i ekzekutivit në detyrë u shpreh se kjo vizitë do të ndihmojë në forcimin e partneritetit dypalësh dhe thellimin e lidhjeve ndërmjet Kosovës dhe landit të Saxony-Anhalt.

Kujtojmë se në këtë takim ishte i pranishëm edhe ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti. /Gazeta Enigma/

Related Articles