Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë të thirrur pas mbledhjes urgjente me Këshillin e Sigurisë Kombëtare për shkak të numrit enorm të vdekjeve si shkak i koronavirusit, ka thënë se do të punësojë edhe 85 inspektorë të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë dhe do zgjasë orarin e policisë nga 8 në 12 orë.
Kurti ka thënë se do të jenë të pakompromis në zbatimin e masave për parandalimin e transmetimit të koronavirusit.
“Ne do të bëjmë gjashtëfishimit e inspektorëve të AUV-it, atyre 17 sa janë do t’ia shtojmë edhe 85 të tjerë. Merreni me mend, e kemi AUV-in, siç e kemi gjetur me 17 inspektorë gjithsej, që i bie as gjysmë inspektori për komunë. Orari i punës së policisë bëhet tash e tutje me ndërrime 12 orëshe, në vend të 8-orëshe”, ka thënë ai.
“Do të ketë zbatim të pakompromis të masave, inspektorët dhe policia hyjnë në fazë të re. Ne do të themelojmë Komitetin për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19”, ka shtuar tutje kryeminsitri.