Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit të djeshëm në Bruksel me liderët e Bashkimit Evropian, ka mbajtur sot konferencë për media ku ka dhënë detaje rreth pranimit të marrëveshjes Bazike.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se pesëshja perëndimore u ka thënë se drafti i Asociacionit do të kontrollohej menjëherë nga Gjykata Kushtetuese.
“Më 21 tetor, nga emisarët amerikano-evropianë na është thënë se drafti për vetëmenaxhim është shkruar me kujdes ndaj shkronjës dhe strukturës së Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës dhe që nëse do të nënshkruhej aty parashihej që ta kontrollonte Gjykata Kushtetuese menjëherë, pra që Kushtetuesja të japë vlerësimin e saj për kushtetutshmërinë e këtij propozimi si përgjigje”, ka thënë Kurti.
“Dje në Bruksel ofruam që para tyre si dëshmitar dhe garantues, të nënshkruajmë marrëveshjen Bazë, megjithë Aneksin Implementues të Ohrit dhe propozimin për zbatimin e nenit 7 të marrëveshjes lidhur me nenin 10 për idenë e vetmenaxhimit të shndërruar në propozim.”, tha kryeministri.
“Nënshkrimi do të nënkuptonte pranim dhe zbatim, mirëpo pranimi do të thotë nënshkrim dhe vetëm nënshkrimi është garanci për zbatim. Këtë e thamë edhe dje ku Samiti në Bruksel ishte ngjarja dhe vendi ku duhet të ndodh kjo, Serbia refuzoi nënshkrimin, duke refuzuar kështu edhe draftin për vetëmenaxhim”, theksoi Kurti.