Kryeministri Albin Kurti ka pritur të enjten në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott, me të cilin kanë diskutuar rreth takimit të 2 majit midis Kurtit dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq në Bruksel.
Në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, thuhet se pritjet e këtij takimi ishin që të ketë angazhim konstruktiv që siguron zbatim pa vonesë të të gjitha neneve të dakorduara.
Kurti dhe Abbott kanë biseduar edhe për kalimin e fazës së parë të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Në kumtesë thuhet se Kurti ka falënderuar Abbottin për mbështetjen e kontributin e vendit që përfaqëson në këtë arritje.
Më tej bëhet e ditur se në këtë takim është biseduar edhe për zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komuna veriore më 23 prill.
“U theksua rëndësia e mbajtjes së zgjedhjeve, të cilat kaluan pa incidente, por në anën tjetër edhe shqetësimi për kërcënimet, frikësimet dhe presionet që çuan në pjesëmarrje të ulët”, thuhet në njoftim.