Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të jetë pjesë e Forumit Ekonomik Botëror, që do të mbahet në Davos të Zvicrës.
Por, njëra nga ngjarjet më kryesore në margjinat e forumit, të paktën për rajonin, do të jetë paneli me temën “Dialogu Diplomatik për Ballkanin Perëndimor”, në të cilën pjesëmarrës përveç Vuçiç do të jetë edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Ky i fundit pas përfundimit të vizitës së tij 16 ditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka udhëtuar për në Zvicër për të qenë pjesëmarrës në Forumin Ekonomik Botërorë.
Ndryshe takimi i fundit – ndonëse joformal- në mes të Kurtit dhe Vuçiç, daton më 4 maj, kur dy liderët shtetëror pas takimeve të ndara që patën me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, darkuan në pallatin Borsig në Gjermani, në prezencën e të dërguarit special të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak.
“Gjatë takimit, Kryeministri Kurti ritheksoi qëndrimin për një marrëveshje ligjërisht të obligueshme, që normalizon plotësisht marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve, duke pasur në qendër njohjen reciproke”, thuhej në njoftimin e zyrës për media të Kurtit.