Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, sërish ka premtuar se do ta përfundojë ndërtimin e autostradës Prishtinë – Gjilan, ani se një gjë e tillë nuk shihet në horizont.
Kurti kishte premtuar hapjen kësaj autostrade në fund të vitit 2023, por një gjë e tillë nuk ndodhi.
“Do të përfundojmë ndërtimin e rrugës Prizren-Tetovë, autostradën Prishtinë-Gjilan me vazhdim deri tek Dheu i Bardhë dhe autostradën Duhle-Shtime-Banullë. Po ashtu do të ndërtojmë rrugën e Dukagjinit që lidh Prizrenin, Rahovecin, Gjakovën, Deçanin me Pejën e Istogun. E do të vazhdojmë me ndërtimin e rrugëve Deçan-Plavë dhe Pejë-Rozhajë”, tha Kurti gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendsoje.
Gjatë fushatës për zgjedhjet nacionale, Kurti kishte fajësuar partitë e mëhershme se nuk e kishin bërë planin siç duhej dhe se për këtë pati vonesa.
Megjithatë, edhe tetë muaj pas zgjedhjeve, autostrada nuk shihet drejt përfundimit, çka i ka lënë qytetarët e Anamoravës pa shpresa për këtë udhë që do ua lehtësonte udhëtimin. /Gazeta Enigma