Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një video-mesazhi ka apeluar tek diaspora që të vijnë të vaksinuar në Kosovë.
“Nëse rastësisht nuk jeni vaksinuar atje, natyrisht se mund ta bëni këtë me rastin e hyrjes në Kosovë. Dhe të gjithë së bashku, të respektojmë në përpikmëri masat anti-COVID”, ka thënë Kurti.
Ndërsa, i është arsyetuar atyre se shkaku i paraqitjes së varianteve të reja të COVID-19, do të duhen të kufizohen aktivitetet dhe organizimet në Kosovë.
“Edhe kësaj radhe do të na duhet të kufizohemi nga manifestimet dhe grumbullimet”.
Kurti, theksoi se detyrë e tij përveç ruajtjes së shëndetit të qytetarëve të Kosovës, ka përgjegjësi edhe ndaj diasporës.
“Si kryeministër, nuk kam detyrë më parësore sesa të mbroj jetën dhe shëndetin e qytetarëve tanë. Dhe e kam detyrë jo vetëm ndaj atyre që janë banorë të Kosovës, por edhe ndaj juve që po na vini nga larg”, deklaroi Kurti.
Po ashtu ai është shprehur i lumtur për ardhjen e bashkatdhetarëve në vendin e tyre.
“Të dashur, është kënaqësi e madhe për mua dhe të gjithë ne që banojmë në Kosovë të ju urojmë mirëseardhje në atdheun tuaj, festat e fundvitit janë një periudhë e veçantë për ne, por sidomos për ju që shumicën e vitit gjendeni fizikisht jashtë, por me mendje dhe zemër gjithmonë në Kosovë”.
Kurti shtoi se, “jemi mirënjohës sa s’thuhet për mbështetjen tuaj, të vazhdueshme ndaj vendit tonë”.